Real Madridi e ka humbur një shans të artë në garën për titull në La Liga këtë sezon, pasi u ndal me një barazim 2:2 nga Sevilla të dielën.

Pas barazimit të Atletico Madridit me Barcelonën, Real Madridi ishte i vetëdijshëm se do t’i merrte në dorë frenat e garës për titull në La Liga me një fitore eventuale, por dështoi ta shfrytëzojë rastin.

Barazimi 2:2 me Sevillën në një ndeshje dramatike në shtëpi nënkupton se Real Madridi ngel në vendin e dytë me 75 pikë, dy më pak se lideri Atletico Madrid dhe baras me pikë me Barcelonën, tri ndeshje deri në përfundim të sezonit 2020/21.

Sevilla e mbyll top katërshen me 71 pikë.

Në një ndeshje tejet zbavitëse dhe dramatike, skuadra e Zidane krijoi më shumë por Sevilla pati iniciative më të shpeshta drejt portës së Thibaut Courtois.

Karim Benzemas iu anulua një gol për pozitë jashtë loje në minutën e 12-të, para se Fernando ta kalonte Sevillën në epërsi për herë të parë në minutën e 22-të, kur shënoi nga afërsia pasi u shërbye nga Ivan Rakitic.

Pas shumë përpjekjeve dhe dy zëvendësimeve të Zidane, i ardhuri nga stoli Marco Asensio e barazoi rezultatin në minutën e 66-të, kur e tundi rrjetën e Sevillës me një goditje mjeshtërore nga cepi i zonës.

Kjo i dha motiv madrilenëve, të cilët morën iniciativën dhe fituan penallti, të cilin ia anuloi VAR-i, pasi Eder Militao kishte shkaktuar penallti paraprakisht për një prekje të topit me dorë në zonën e Realit.

Rakitic shënoi nga pika e bardhë në minutën e 78-të, duke ia kthyer epërsinë vizitorëve.

Gjashtë minuta shtesë i mjaftuan vendasve ta shmangnin humbjen, pasi Eden Hazard e devijoi në rrjetë një goditje të Toni Kroosit për rezultatin përfundimtar 2:2.

Madridi duhet të shpresojë në dështimin e rivalit, Atletico, dhe njëkohësisht t’i fitojë të tri ndeshjet e mbetura për ta fituar titullin.