Në Rrugën e Kombit pavarësisht motit me temperatura nën zero gradë dhe reshjeve të dëborës qarkullimi vijon pa probleme.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili ka publikuar pamje nga kjo rrugë në të cilën tanimë garantohen standarde të larta sigurie për drejtuesit e mjeteve.

“Mirëmëngjesi dhe me Rrugën e Kombit, e cila kalohet normalisht dhe tanimë garanton standardet më të larta të sigurisë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Reshjet e dëborës që ranë gjatë këtyre ditëve në Kukës nuk krijuan probleme në Rrugën e Kombit, falë përkujdesjes për pastrimin dhe kriposjen e saj.

Autostrada Milot-Morinë vlerësohet si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore shqiptare, që krijon mundësi jo vetëm për dalje në tregje më të mëdha, por lidh ekonomikisht dy shtete të të njëjtit komb.

Me ndërtimin e kësaj autostrade, koha e udhëtimit nga Durrësi në Morinë u shkurtua nga 6 orë, në 2 orë e gjysmë, me një shpejtësi qarkullimi nga 80–130 km/h.

Autostrada me gjatësi rreth 170 kilometra është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore dhe falë investimeve të kryera siguria e lëvizjes në të është e lartë.