Vendimi për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë të ushqimit ishte miratuar më 1 mars dhe kryesisht kishte të bënte me uljen e çmimit të bukës në 0.50 euro nga rreth 1 euro sa shitej para masës së Qeverisë.
Përveç bukës, ishin ngrirë edhe çmimet për shumë produkte të tjera, si mielli, sheqeri, vaji, fasulet, qepët, frutat e perimet etj.
Në ditën e parë të hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë për heqjen e kufizimit, çmimi i bukës nuk ka ndryshuar.
“Çmimi i bukës do të mbetet i njëjtë. Ajo do të vazhdojë të shitet me 33 denarë (0.50 euro) dhe mbase mund të ketë tendencë për ulje të mëtejmë të çmimit të saj. Çmimet nuk do të rriten, sepse çmimet e energjisë elektrike, naftës, lëndëve të para janë ulur në masën e 50 për qind. Gjatë këtyre dy muajve, derisa ishin në fuqi masat, sektori i bukës ka pësuar humbje të mëdha që arrijnë në rreth 50 mijë euro për furrat e vogla dhe mbi 300 mijë euro për furrat e mëdha”, ka bërë të ditur shoqata e prodhuesve të bukës.
“Do të shohim se si do të jetë tregu. Presim rritje të çmimeve, por jo në masë të madhe, pasi besoj se s’ka ku të shkojë më shumë sesa që janë tani. Nëse vazhdon trendi i rritjes s’do të ketë kush të blejë. Me të ardhurat që marrim nuk po arrijmë të sigurojmë as gjërat më elementare për jetë”, thotë Nikolla Stojçev, punonjës në sektorin e ndërtimtarisë.
“Edhe sikur ti lirojnë do të jetë e kotë, pasi nuk do të ndikojë asgjë duke marrë parasysh pensionet që marrim. Ne nuk po mundemi as ilaçe të blejmë. Po mundohemi të sigurojmë bukë dhe ca gjëra më elementare, aq sa për të mbetur gjallë”, thotë Elena Dimova, pensioniste’.
“Është e pamundur të ketë ulje të çmimeve, përkundrazi varfëria do të jetë akoma më e thellë, do të kemi përkeqësim, ngritje të reja të çmimeve”, thotë Xhemo Haris, punonjës në një ndërmarrje elektrike në Shkup.
Nga Lidhja e Sindikatave kërkojnë nga Qeveria kontrolle që të mos ketë abuzime me çmimet nga ana e tregtarëve pasi kjo do të godiste edhe më shumë standardin e qytetarëve.
“Tregtarët do të gjejnë mënyra për të manipuluar me tregjet dhe konsumatorët, pasi jemi të vetëdijshëm se këtë ata e kanë bërë në të kaluarën. Shpresojmë se autoritetet shtetërore do të jenë vigjilente dhe do të mund të kontrollojnë punën e tregtarëve që të mos ketë manipulime apo ngritje të çmimeve ”, thotë Zllatko Cvetkovski, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Comments are closed for this post.