Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot do të shqyrtojë dhe do të miratojë konkluza përkatëse për informatën lidhur me hapat e mëtejshëm dhe vendimet të cilat merren për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, që dolën nga mbledhja e Komitetit drejtues për koordinimin dhe menaxhimin e sistemit të menaxhimit të krizave, mbajtur më 27 shkurt të vitit 2020.

“Ne si ministri e Shëndetësisë propozojmë këtë masë të vlejë të paktën një javë, me mundësinë në çfarëdo momenti të sillet dhe masë tjetër në varësi të asaj se si do të zhvillohet situata në rajon”, ka thënë në pres konferencën e sotme, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Propozimi jonë, shtoi Filipçe është të ndalohen të gjitha tubimet publike ku ka numër të madh njerëzish, nëse janë në ambient të hapur ose të mbyllur.

“Mendoj se duhet të anulohen të gjitha tubimet publike përfshirë edhe garat sportive”, ka thënë ministri.

Ai ka sqaruar se dje ka pasur takim me Komisionin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse nga ku dalë rekomandimi të kufizohen tubimet masive publike, konform Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Filipçe ka thënë se tani për tani nuk ka raste të reja të personave pozitiv me koronavirus në vend. Për momentin, priten rezultate nga testimi i një personi i cili më 22 shkurt është kthyer nga Italia në Strumicë.

Tani për tani, rasti i vetëm i personit të infektuar me koronavirus mbetet pacientja tani më e hospitalizuar në Klinikën infektive në Shkup, e cila me furgon ka udhëtuar nga Milano.

“Pacientja, tek e cila është konfirmuar koronavirusi ndihet mirë, ka pasqyrë të lehtë klinike dhe nuk ka komplikime më serioze”, ka thënë dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Kështu, mbetet në fuqi rekomandimi që kompanitë dhe institucionet e atyre të punësuarve të cilët këtë periudhë kanë qenë në Itali, të vijnë në punë sepse ata së pari duhet të kalojnë 14 ditë në izolim – periudhë aq sa zgjatë inkubacioni i virusit, si dhe rekomandimi të mos udhëtohet në vendet ku ka epidemi, pa ndonjë nevojë të madhe.

Ndryshe, koronavirusi për herë të parë është shfaqur në Vuhan, Kinë më 12 dhjetor të vitit 2019. Pas përhapjes së shpejtë të sëmundjes, numri i madh i viktimave dhe të infektuarve, OBSH-ja më 30 janar shpalli “gjendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare”.