Pronari i kompanisë “Durmo Tours” Durmish Beluli, në një deklaratë për TV24, tha se autobusi që u aksidentua para dy ditëve ka qenë teknikisht në rregull.
Ai thotë se të punësuarit në kompani janë dëgjuar me shoferin dhe se ai për ta e ka zbuluar arsyen e aksidentit, gjegjësisht ka thënë se vetë e ka humbur kontrollin gjatë drejtimit të autobusit.
“Personi përgjegjës në ‘Durmo Tours’ ka pasur kontakt me shoferin pas aksidentit. Ai ka thënë se ka qenë i vetëdijshëm dhe e ka humbur kontrollin gjatë drejtimit. I pyetur nëse e ka humbur kontrollin mbi veten ose mbi autobusin, ai ka thënë se nuk ka mundur ta kontrollojë veten. Me siguri për shkaqe shëndetësore. Autobusi ka lëvizur rreth 200 metra dhe nuk ka as gjurmë të frenimit as të reagimit të shoferit”, tha Beluli.
Ai tha se ndjen përgjegjësi morale dhe ju shpreh ngushëllime familjarëve të të vdekurve.
“Ata ishin pjesëtarë të familjes sonë, me vite kanë udhëtuar me ne. Në Gostivar njihemi me të gjithë. Ndjejmë keqardhje, jemi të tronditur dhe në shok”, shtoi Beluli.
Ndryshe, dje Prokuroria njoftoi se tek shoferi nuk janë gjetur gjurmë të alkoolit, ilaçeve ose substancave psikotrope, ndërsa shtuan se do të hetojnë nëse ai ka qenë duke e përdorur celularin.
Nga aksidenti i së mërkurës, jetën e humbën 14 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.
Comments are closed for this post.