Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup mbrëmë ka inspektuar vendin e një aksidenti të rëndë trafiku në afërsi të qendrës tregtare në Shkup, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar.

Sipas informacioneve fillestare, aksidenti ka ndodhur kur vetura e pasagjerëve “Citroen C4”, e drejtuar nga një 22-vjeçar ka përplasur dy këmbësorë, një vajzë dhe një djalë 24-vjeçar, të cilët po kalonin rrugën. Vajza ka ndërruar jetë në vend, ndërsa djali që ishte me të ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital.

Me urdhër të prokurorit, drejtuesi i veturës është arrestuar menjëherë pas aksidentit dhe është ndaluar në stacionin policor. Prokurori publik ka urdhëruar kryerjen e obduksionit të trupit të të ndjerit, si dhe ka urdhëruar ekspertizën e mostrave të gjakut dhe urinës nga vozitësi i veturës për të vërtetuar nëse i njëjti ka qenë duke vozitur nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera të paligjshme.

Është lëshuar urdhri për sigurimin e pamjeve video të vëzhgimit të vendit të aksidentit. Ndërmerren veprime të tjera për zbardhjen e plotë të rastit, pas së cilës do të vendoset për veprime të mëtejshme.