Televizioni “News 24”, në objektin e të cilit ndodhen edhe mediat “BalkanWeb”, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, janë rrethuar nga Policia mëngjesin e 9 gushtit.

Shkak, duket se është bërë objekti, e cila sipas strukturave të rendit, i takon KAYO-s, kompanisë shtetërore, e cila operon në fushën e mbrojtjes dhe industrinë ushtarake.

Sipas raportimeve nga mediat shqiptare gazetarëve u është ndaluar hyrja në objekt, ndërsa sipas tyre nuk ka pasur një paralajmërim paraprak për median, për të liruar objektin dhe forcat e Policisë janë shfaqur papritur në dyert e tyre.

Ardi Veliu, drejtuesi i shoqërisë KAYO, ndodhet po ashtu në vendngjarje dhe pretendon se objekti i përket organit që ai drejton.

Poashtu raportohet se në objektin ku operon media është ndërprerë energjia elektrike, duke vështirësuar transmetimin.

Policia e Shtetit ende nuk është deklaruar.

Reagon AGSH: Sulm ndaj lirisë së medias

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar duke thënë se është i alarmuar për ngjarjen ku Policia ka bllokuar zyrat e News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Sipas tyre, ky veprim i alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ndërhyrja e policisë, pengojnë drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon nga institucionet shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion, të garantojnë aksesin e gazetarëve në ambientet e punës dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.

Gjithashtu, AGSH i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe të reagojnë publikisht.

“I bëjmë thirrje institucioneve që çdo konflikt me televizionet private të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë”, thuhet në reagim.