Debati se cili është futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo, s’ka të ndalur dhe i fundit që e ka dhënë mendimin e tij për këtë çështje është mesfushori francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba.

Pogba ka bërë të ditur se ai e vlerëson Lionel Messin e Barcelonës si futbollistin më të mirë në botë, duke thënë se klubi katalonas e ka një lojtar të jashtëzakonshëm, i cili është mbi të gjithë të tjerët, transmeton Gazeta Express.

“Barcelona ka lojtarë të mrekullueshëm, dhe mbi të gjitha, ata e kanë një lojtar të jashtëzakonshëm, i cili është mbi të gjithë të tjerët”, ka thënë Pogba, gjatë një konference për shtyp para ndeshjes së Francës.

Por, jo vetëm Pogba e ka këtë mendim, pasi që argjentinasi i ka mahnitur shumë persona me paraqitjet e tij gjatë ndeshjeve të këtij sezoni. Përkundër që ishte i lënduar për disa ndeshje, Messi i kryeson listat për lojtarët më vendimtarë në Evropë.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë ka luajtur në gjithsej 37 ndeshje të këtij sezoni, gjatë të cilave i ka shënuar 39 gola dhe i ka asistuar 21 të tjera.

Pogba do ta ketë mundësinë të luajë kundër argjentinasit dy herë këtë sezon, pasi që Manchester Unitedi dhe Barcelona do të luajnë kundër njëra-tjetrës në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

Dy skuadrat do të përballen fillimisht në Old Trafford, më 10 prill, e pastaj ndeshja kthyese do të zhvillohet në Camp Nou, më 16 prill.

Klubi katalonas është favorit për ta zënë një vend në gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, pasi që djemtë e Ernesto Valverdes janë duke e kaluar një sezon më të mirë këtë vit. Ata janë në finale të Kupës së Mbretit dhe liderë të La Ligës. Për këtë arsye, e duan me ngulm edhe suksesin në Ligën e Kampionëve për ta kompletuar tripletën këtë sezon.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi është ringjallur pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe emërimit të Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit. Megjithatë, dy ndeshjet e fundit kanë qenë zhgënjyese për “Djajtë e kuq”, të cilët e humbën vendin e katër në tabelën e Premierligës pas disfatës ndaj Arsenalit dhe u eliminuan nga FA Cup pas disfatës ndaj Wolves.

Megjithatë, skuadra e Solskjaer e dëshmoi në fazën paraprake të Ligës së Kampionëve se asgjë nuk është e pamundur. Manchester Unitedi u kualifikua në çerekfinale duke e përmbysur rezultatin ndaj Paris Saint-Germainit.