Ulja e temperaturave ka mbushur ordinancat e mjekëve amë me pacientë të sëmurë nga ftohja dhe gripi stinor në Maqedoninë e Veriut.
Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se për tri herë është rritur numri i të sëmurëve me grip. Nga data 28 nëntor deri më 4 dhjetor janë regjistruar 58 raste të raportimeve në grup me grip ose sëmundje të ngjashme me gripin, që korrespondojnë me këtë periudhë të sezonit, me një rritje prej 3.2 për qind herë krahasuar me javën paraprake.
Incidenca më e lartë e infeksionit me grip sezonal është te grup-mosha 5 deri 14 vjeç.
Përderisa rritet numri i infeksioneve respiratore mjekët thonë se këto janë infeksionet më të zakonshme te njerëzit, megjithatë në 90 për qind e këtyre rasteve shkaktohen nga viruse që nuk preken nga antibiotikët. Mirëpo, pacientët e kanë shumë vështirë ta kuptojnë këtë si rrjedhojë e shprehive të këqija për të trajtuar çdo sëmundje me barna pa i dhënë shans organizmit që të luftojë vetë me virozat.
“Situata bëhet e tensionuar në ambulancë e pasi shumë pacientë kërkojnë antibiotikë, pasi siç thonë më shumë se tre apo katër ditë kanë temperaturë dhe infeksioni nga ftohja nuk u kalon. Pra, insistojnë në antibiotikë dhe kjo u shkakton tensione. Këto ditë me të bërtitura u largua një burrë pse nuk i përshkrova antibiotikë, nuk arrinte ta kuptonte se s`ka nevojë për to”, thotë për Radion Evropa e Lirë mjeku amë, Bojan Trajkovski.
Nga ana tjetër, Liridon Disha, po ashtu mjek amë në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevojiten më shumë fushata ku do të jenë të kyçur mjekët, sektori civil dhe mediat për t’ua sqaruar qytetarëve se përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve shkakton vrasjen e baktereve të dobishme në trupin e njeriut dhe me këtë humbet dhe mbështetja që merr nga këto baktere të dobishme.
“Siç e dimë, çdo efekt pozitiv që ka, çdo ilaç ka dhe efektet negative dhe kjo nënkupton përveç se mbysin bakteret e dëmshme, ato mund të shkaktojnë rezistencë të lartë te llojet e ndryshme të baktereve. Bakteret në prezencë të antibiotikut dinë të modifikohen dhe të evoluojnë dhe të krijojnë një lloj baktere, qoftë duke forcuar murin bakteror, qoftë duke krijuar mekanizma të tjerë për t’i rezistuar ndikimit të antibiotikëve. Kjo është dhe arsyeja pse ne nuk duhet të përshkruajmë antibiotikë pa nevojë”.
“Kemi raste të pacientëve që rezistojnë ndaj antibiotikëve, pasi atyre u janë përshkruar pa kontroll antibiotikë. Për t’i ikur këtij fenomeni, ne duhet ta kemi të qartë se për çdo lloj dyshimi për infeksion të mundshëm, duhet ta kontaktojmë mjekun e familjes dhe assesi të konsumojmë kokë më vete antibiotikë pa u konsultuar me mjekun”, thotë Disha.
“Qytetarët kërkojnë vetë të mjekohen me antibiotikë”
Por, antibiotikët në Maqedoninë e Veriut, edhe pse nuk mund të merren në barnatore pa recetë nga mjeku amë, më shumë qytetarë kokë më vete kërkojnë antibiotikë në barnatore për t’u vetë-kuruar nga ftohja përkatësisht infeksioni.
“Me ftohjen e kohës këtu në barnatore vijnë gjithnjë e më shumë pacientë me kollitje dhe kërkojnë antibiotikë, njëherë vijnë këtu dhe pastaj shkojnë te mjeku. Ata (pacientët) kërkojnë që privatisht të blejnë antibiotikë, por ne i kthejmë ata nëse me vete nuk kanë recetë nga mjeku, pasi mjeku e di se kush vërtet ka nevojë për të marrë antibiotikë dhe kush duhet ta kaloj virozën pa medikamente fare ose me medikamente tjera. Kemi situata të ndryshme, madje dhe të tensionuara. Përpiqemi që t’ua shpjegojmë se nuk mund t’u japim antibiotikë pa recetë, por jo të gjithë janë në gjendje ta pranojnë faktin se antibiotikë pa recetë nuk mund të marrin asnjë dozë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vesna Miteska, e cila punon në një farmaci në Shkup.
Romel Velev nga Katedra e Farmakologjisë dhe Toksikologjisë në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, thotë se përdorimi i tepruar i antibiotikëve është i dëmshëm, si për njerëzit ashtu edhe për kafshët pasi bëhen rezistues ndaj antibiotikëve.
Velev thotë se në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna të sakta rreth rasteve të përdorimit të tepruar të antibiotikëve, por shton se sa është bërë serioze kjo çështje flet fakti rreth rritjes së numrit rasteve me vdekje për shkak të rezistencës në antibiotikë.
“Duhet të ngrihet vetëdija e qytetarëve po edhe mjekëve për sa i përket rrezikut nga përdorimi i tepruar ashtu siç bëjnë vendet e zhvilluara të Evropës. Situata ndiqet me vëmendje dhe vetëm nëse ka nevojë në atë rast jepet antibiotiku, jo me të parën sa paraqitet pacienti te mjeku t’i shkruhet antibiotiku”, thotë Velev.
Vaksinimi, mbrojtja më e mirë nga virusi stinor
Zllate Mehmedovoviq nga Komisioni për sëmundje ngjitëse thotë se qytetarët duhet të vaksinohen kundër gripit, veçanërisht personat që u përkasin grupeve më të rrezikuara, si: të moshuarit, fëmijët, personat sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit e shëndetësisë, pasi, siç thekson ai, kjo është mbrojtja më efektive nga kjo sëmundje. Sipas tij, në këtë mënyrë mbrohet një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që të mos i nënshtrohet kurimit me antibiotikë.
Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se me vaksina falas kundër gripit stinor të dedikuara për grupet e rrezikuara, janë vaksinuar më shumë se 54 mijë persona.
Përderisa edhe qytetarët e tjerë jashtë grupeve të rrezikuara kanë mundësi të vaksinohen me vaksina kundër gripit stinor dhe deri më tani janë vaksinuar më shumë se 2 mijë e 500 persona.
Të dhënat e Fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të publikuara në dhjetor të këtij viti tregojnë për nivele të larta (mbi 50 për qind) të rezistencës në bakteret që zakonisht shkaktojnë infeksione të gjakut duke vënë në rrezik jetën e pacientëve./REL
Comments are closed for this post.