Hotelet ngelet të punojnë me kapacitet të plotë edhe pas 16 gushtit me shërbimin e pansionit, në një hapësirë të mbyllur, pa vërtetimin për imunizim nga Kovid-19. Këtë për MIA-n e konfirmoi kryetari i Asociacionit të Hotelierëve – HOTAM, Kërste Bllazheski, duke theksuar se mirëmbajtës të rendit duhet të ketë në objekte, të cilët nuk do të pranojnë mysafirë të jashtëm në restorantet dhe sallat e mbyllura.

“U pranua kërkesa jonë, janë bërë ndryshime dhe vërtetim për vaksinim nuk do të duhet që të shërbehet pansioni dhe për mbi 30 mysafirë nga hoteli. Do të provojmë në rendin më të mirë t’i respektojmë masat kohore dhe sa më parë të dalim prej këtyre kohëra të këqija”, tha Bllazheski.

Njeriu i parë i HOTAM-it theksoi se edhe më tej do t’i respektojnë protokollet me dezinfektimin e vazhdueshëm distancën e obligueshme në restorante dhe jo më shumë se katër persona në një tavolinë.

“16 gushti është vetëm dy javë para përfundimit të sezonit. Këto masa ndikojnë psikikisht tek mysafirët, disa i anulojnë aranzhamnet, ndërsa të tjerët që kanë planifikuar ta shfrytëzojnë pushimin veror në ndonjë vend turistik në vend tani janë në mëdyshje”, shtoi Bllazheski duke theksuar se seminaret tashmë janë anuluar.

Vlerëson se është dashur më herët të reagohet lidhur me organizimin e tubimeve më të mëdha, siç ishin ahengjet e mëdha në rivierën e Ohrit dhe të Strugës gjatë periudhës së kaluar.

“Për tubime më të mëdha duhej të mendohej më herët. Efekti është bartur te më shumë të rinj, kësaj here pasi ata më shumë janë grupuar në ahengje. Të rritur kanë kujdes më shumë, madje edhe nëpër dasma nuk e kanë përshëndetjen me përqafime. Edhe dasmat duke pasur kujdes nuk paraqesin rrezik kaq të madh, nëse respektohen protokollet”, vlerëson Bllazheski.