Sot pas takimit mes presidentit të vendit Stevo Pendarovski dhe kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk, që të dy dolën për pres konferencë sa i përket takimit, përcjellë Zhurnal.

Takimi mes Pendarovskit dhe Donald Tusk ishte si pjesë e takimeve të vazhdueshme të krerëve të Maqedonisë së Veriut, si mënyrë për të frymëzuar dhe bindur anëtarët e BE-së për të dhënë datë për negociata për Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk deklaroi se personalisht ai beson se është i mundur vetëm një vendim, e ajo është fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim në BE.

“Si kryetar i Këshillit Europian nuk dua të prejudikoj. Bëtë gjithçka që u prit nga ju, por të jem i sinqertë, jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të përgatitura të sjellin vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim në ditët në vijim. Çështja nuk është “nëse” do të fillojnë, por “kur?” do të fillojnë. Jam i kujdesshëm për këtë çështje sepse e di se ndonjëherë arritja e konsensusit mes 28 vendeve anëtare zgjatë më shumë sa unë do doja. Por, nuk ka dyshim se vendi i shtetit tuaj dhe të rajonit është në BE”, deklaroi Tusk

Nga ana tjetër presidenti Pendarovski u shpreh se në qershor Unioni Europian ka një mundësi historike të tregojë vizion për të ardhmen erajonit tonë me atë që të caktojë datë për negociata për Maqedoninë e Veriut. Siç shtoi ai, qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kërkojnë shpërblim të pamerituar, por një shansë të merituar për ndërtimin e një shteti europian me shoqëri të drejtë, humane dhe të përparuar, njofton Zhurnal.

“Para dy javëve e morëm raportin më pozitiv që mund të ekzistonte nga KE për vendin tonë. Jo vetëm që morëm propozim të pastër për fillim të negociatave por ishim të përmendur si shembull i shkëlqyer në Ballkanin Perëndimor. Këtë e bëmë me zgjidhjen e çështjeve me dekada. Sollëm vendime të guximshme për shumë çështje të ndjeshme për qytetarët tanë me qëllim të largojmë pengesën më të madhe në proesin për anëtarësim në BE dhe NATO. ME marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjen e Prespës u liruam nga ngarkesa në të kaluarën. Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon i cili nuk ka më çështje të hapura me fqinjët. Jemi të vetëdijshëm se nevojiten ende reforma dhe se kemi dobësi, na pret ende punë. Por më duhet të theksoj një realitet – ne jemi më efikas kur para nesh kemi detyra, ndërsa negociatat për anëtarësim janë mjet më i mirë reformues”, deklaroi Pendarovski.

Ndryshe, përpos Pendarovskit në takime me përfaqësues europian gjithashtu është edhe kryeministri Zaev, mirëpo ai gjendet në Berlin të Gjermanisë. Ai nesër pritet të takohet me kancelaren Angela Merkel./Zhurnal.mk