Shfuqizimi i masave e më pas rikthimi i kufizimit të marzhave me qëllim të uljes së çmimeve të produkteve prej 6-7%, sigurisht që do të shkojë në favor të qytetarëve pasi çmimet e produkteve do të ulen.

Por, OEMVP thotë se rikthimi i kufizimit të marzhave për produktet bazë, do të bëhet në kurriz të bizneseve.

“Është një masë e cila është e përkohshme, e cila targeton edhe kësaj radhe mbrojtjen e konsumatorit, por vlerësojmë se në një lloj forme i ngarkohet një masë shumë e madhe biznesit, duke pasur ata për obligim që të bartin të gjitha pasojat e krizës. Realisht çmimet do të shënojnë ulje, mirëpo masa si e tillë nuk është në pajtueshmëri me atë që ne kemi kërkuar. Biznesi është i gatshëm të jetë solidarë me qytetarët mirëpo duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e shumë çmimeve të shpenzimeve operative që kanë bizneset është e patolerueshme të bëhet një masë e tillë dhe të anashkalohen shpenzimet operative që kanë kompanitë deri tek shitja e produktit”, deklaroi drejtori ekzekutiv në OEMVP, Drilon Iseni.

Nga OEMPV propozojnë që në këtë krizë të ndihmohen kategoritë më të rrezikuar të qytetarëve dhe bizneset.

“Kërkesa e odës parasheh dy aspekte. E para, mbështetja e qytetarëve nëpërmjet vauçerëve për kategoritë më të rrezikuar sociale, me ç’rast atyre do të ju hiqet një pjesë e barrës financiare në këtë fazë, ndërsa nga ana tjetër bizneset të mbështeten me lehtësime tatimore apo edhe me heqjen e shpenzimeve të doganave”, tha drejtori Iseni.

Iseni shton se në rast të vazhdimit të trendit të rritjes së çmimeve në tregjet globale mund të ndodh që shumë kompani të abstenojnë, të furnizohen edhe me disa produkte bazë.