Projekti për rrugën Tetovë-Prizren “po ecën me dinamikën e paraparë”, thotë ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sipas të cilit këtë vit është paraparë projektimi i tunelit. Nikollovski njëherit ka bërë të ditur se ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në Katar po kërkon financim për projektin.

“Në lidhje me rrugën Tetovë-Prizren, modelet gjithsesi se janë të hapura. Njëra është që ta financojmë nga buxheti, por mendoj se model më i mençur është të kemi financim stabil përmes linjës së volitshme kreditore dhe grant komponentë, kjo është ajo që e kërkon ministri.”, – deklaroi ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.

Autostrada Shkup – Bllacë, Nikollovski: Mund të ketë aks të ri

Sa i përket autostradës Shkup-Bllacë, minsitri tha se tanimë ka tender për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës, por do të realizohet nëse ka oferta prej 171 milionë eurosh, ndërsa nëse ka ofertë më të shtrenjtë, do të bëhet aks i ri.

“Shkup – Bllacë për momentin ka përfunduar para kualifikimit, ka kualifikim, respektivisht për momentin, thënë në gjuhën popullore, ka tender. Atë që jemi marrë vesh me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke marrë parasysh se prej atje kemi edhe kredi edhe grant komponentë, është të shohim se cili çmim do të ofrohet. Nëse ofrohet çmim që është në korniza të të paraparës, 171 milionë euro, atëherë vazhdojmë, nëse shkohet me çmim që e parashikojnë ekspertët, mes 240-300 milionë eurove, atëherë do të shkojmë me aks të ri, më ekonomik.”, – theksoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.

Nikollovski njëherit ngriti dilema për manipulime të mëdha në këtë aks rrugorë nga tri kompani dhe dy persona fizikë, të cilët kanë blerë toka shumë lirë nga pronarët paraprakë, duke e ditur se ku do të kalojë autostrada.