Takim i ri i grupit punues për Propozim-ligjin për Prokurori publike në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha grupeve të deputetëve do të mbahet nesër, paralajmëroi ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

“Përfundoi debati publik për Ligjin për Prokurori publike. Të premten në ora 11 do të mbahet takim me grupin punues me të gjitha grupet e deputetëve me qëllim që të harmonizojmë tekst, që do të hyjë në procedurë kuvendore”, shkroi në Fejsbuk ministrja Deskoska.

Propozimet për redaktim nomoteknik të tekstit do t’i dërgohen grupit punues, i cili e përgatiti Propozim – ligjin për Prokurori publike, por edhe Sekretariatit për Legjislativë, i cili është institucion kompetent për këtë çështje.

Sipas Deskoskës, ky Propozim ligj nënkupton ndërtim të prokurorisë së fuqishme për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila krahas kompetencave vijuese që i ka, do t’i ndërmerr edhe rastet që i ka udhëhequr PSP-ja.

Deskoska theksoi se gjatë debatit dyditor profesional në Komisionin kuvendor për sistem politik janë parashtruar disa pohime estrade se nuk ka kushtetueshmëri në këtë koncept, që sipas ministres është absolutisht e pasaktë sepse koncepti me kompetenca të përforcuara të Prokurorisë publike për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ekziston edhe në vende tjera.

Sipas Deskoskës, është e mirë që deputetët kanë qenë pjesë e debatit publik dhe kanë mundur të bëjnë vlerësim, të cilat qëndrime janë argumentuar.