Në Shkup u mbajt edicioni i dytë e Natës Ballkanike të Poezisë, nën organizim nga Shoqata Kulturore Kopru me qendër në Maqedoninë dhe Shoqata Uskup nga Istanbuli, raporton Anadolu.
Në programin e organizuar në Hamamin e Davut Pashës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, i cili u mbështet nga Drejtoria e Përgjithshme me Marrëdhënieve me Shoqërinë Civile pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Turqisë, morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, politikanë, poetë dhe entuziastë të poezisë.
Në kuadër të programit u lexuan poezi në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë turqisht, shqip, boshnjakisht dhe maqedonisht.
Në fjalën e tij të rastit, kryetari i shoqatës Kopru, Husrev Emin, kujtoi se këtë program për herë të parë e kanë nisur në Istanbul para dy vjetësh dhe tha se planifikojnë ta bëjnë këtë program traditë dhe ta organizojnë në qytete të ndryshme të Ballkanit.
“Në fakt, në këtë mbrëmje është radha e poetëve të flasin. Ata do të shprehin fjalët më të bukura, më të mira dhe më estetike. Secili në gjuhën e vet amtare”, theksoi Emin, duke shtuar se qëllimi i tyre i vetëm është rigjallërimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i dashamirësisë, paqes, tolerancës dhe bukurisë në këtë rajon.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Uskup, Naim Aras, në prononcimin e tij për mediat tha: “Qëllimi i këtij tubimi është të bashkojë njerëzit nga të gjitha kulturat që jetojnë në Ballkan dhe të shprehim vëllazërinë tonë. Poezia ndonjëherë shprehet në nota dhe kështu krijohet një këngë e bukur, në të cilën sigurisht ka një poezi. Ne kemi ardhur të bashkohemi me të gjithë vëllezërit tanë, pavarësisht nga kombi, raca dhe besimi i tyre”.
Leyla Sherif Emin, shkrimtare dhe poete, theksoi: “Aktivitete të tilla në fakt synojnë të theksojnë se komunitetet që jetojnë në Ballkan duhet të bashkohen edhe më shumë për aktivitete të tilla të përbashkëta kulturore. Shpresoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Le të jemi më shumë bashkë dhe ta duam më shumë njëri-tjetrin. Siç thotë Yunus Emre: ‘Të duam njëri-tjetrin, kjo botë nuk do t’i mbetet askujt’. Ballkani ka nevojë për këtë dashuri”.
Comments are closed for this post.