Sot ka filluar mësimi në të gjitha nivelet e arsimit para-universitar në Kosovë, pas suspendimit të grevës pesë javore nga SBASHK-u.

MASHT-i në njoftimin për fillimin e vitit të ri shkollor ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit.

Derisa SBASHK-u ka paralajmëruar se nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura, ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ministria që ajo drejton do të formojë sot një grup punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen riplanifikimet në shkolla.

Greva në arsim kishte nisur më 25 gusht, me kërkesat për 100 euro shtesë deri në hyrjen fuqi të ligjit të pagave, gjë e cila është hedhur poshtë nga Qeveria, e cila ka ofruar një zgjidhje prej 50 eurosh, me premtimin se një gjë e tillë do të shikohet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm në varësi të shkallës së inflacionit.