Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava në mesazhin e tij për Ramazanin uroi besimtarët myslimanë për agjërimin.

Tërnava thotë se përmes agjërimit, myslimanët në mënyrën më të përsosur manifestojnë ndjeshmërinë e besimi në Zot, njofton Klan Kosova.

“Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra dhe qytetarë të Kosovës jemi në vigjilje të fillimit të muajit të bekuar Ramazan andaj më lejoni që në këtë natë të madhe t’iu drejtohem të gjithë besimtarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë me urime dhe përgëzimet më të mira të uroj fillimin e këtij muaji i cili është i veçantë për besimtarët myslimanë kudo që ata gjenden”.

“Ramazani është muaji i cili përveç të tjerave dallohet edhe me ibadetin e agjërimit i cili kryhet vetëm për hir të Krijuesit dhe vetëm ai për këtë do të shpërblejë besimtarin me shpërblime të veçanta ”, tha Tërnava.

“Përmes agjërimit të muajit të madhërishëm Ramazan besimtarët myslimanë në mënyrën më të përsosur manifestojnë ndjesinë e besimit në Zot, përgjegjësinë për të ndjekur e zbatuar urdhrat dhe mësimet e tij si dhe gatishmërinë për të sakrifikuar me përkushtimin e vetëm për Krijuesin e Gjithësisë”.

Myftiu tutje tha se edhe ky Ramazan na gjen në përballje me pandeminë, duke përgëzuar të gjithë ata që po qëndrojnë në vijën e parë të frontit.

“Është obligim i yni që ta ruajmë vetën, shoqërinë e rrethin nga infektimi. Ju ftoj të gjithëve t’i respektoni masat. Gjatë muajit Ramazan ta bëjmë më të mirën e mundshme. Nga ne kërkohet të jemi të durueshëm”, tha Myftiu Tërnava.