Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa mbrëmë organizuan tubim me ç’rast u prezentuan programet e kandidatit për kryetar të Komunës së Tetovës, Vullnet Murseli para qytetarëve të lagjeve, Reçicë, Teteks dhe Teqe.
Kandidati për kryetar Murseli theksoi se Tetova është e gatshme për ndryshime të mëdha, pasi, siç tha, qytetarët deri më tani janë lënë anash.
“Qytetarët tanë ndjehen si të huaj në qytetin e tyre. Prandaj në mandatin tonë komuna do të jetë në shërbim të qytetarëve në çdo kohë, me administratë efikase – ku do ta gjejmë personin e duhur për çdo punë. Ekipi im do të promovojë administratë transparente, që ta dini në çdo kohë ku dhe si shpenzohen paratë e juaja. Do të krijojmë administratë të përgjegjshme, do të takohemi me qytetarë çdo të premte, do të hapim zyrë speciale për diasporën tonë”, theksoi para qytetarëve Vullnet Murseli.
“Dhjetë vite nuk e përfunduan as edhe një punë siç duhet, tani për dy muaj gjithçka që do të bëhet do të jetë “shkel e shko”. Pushteti i deritanishëm i ka borxh një kërkimfalje qytetarëve”, porositi Muzafer Etemi, bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë.
Në tubim fjalim pati edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarë, Ziadin Sela, i cili shprehu bindjen se do të fitojnë.
Ndërsa kryetari i Alternativës, Afrim Gashi theksoi se Vullnet Murseli ka vizion të qartë dhe është i bindur në fitoren e tij, duke besuar se gjithçka ka premtuar do ta realizojë.
Comments are closed for this post.