Po afrohet Samiti i OSBE-së me nikoqir të Maqedonisë, ku do të vijnë mysafirë të lartë, ministra të punëve të jashtme dhe delegacione të tyre. Samiti do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Arenën “Boris Trajkovski”.

Për transport të përshtatshëm të delegacioneve nga salla në hotel dhe më pas në aeroport, MPJ-ja angazhoi agjencinë rent a car “ABC Rent a Car Tours” Sh.PK Shkup, e cila duhet të sigurojë 175 vetura. Sipas kontratës, Ministria e Jashtme do t’i paguajë asaj 960 mijë euro për shërbimin.

Kur shikoni faqen e internetit të “ABC Rent a Car” mund të shihni se ata kanë një përzgjedhje të madhe të automjeteve të mesme dhe luksoze. Agjencia ka edhe një listë çmimesh, kështu që mund të bëni një krahasim. Pra, nëse MPJ vendos të marrë me qira automjetin më të shtrenjtë nga oferta, që është Audi A4 automatik allroad quattro TDI, kushton 308 euro në ditë.

Samiti zgjat dy ditë matematika e thjeshtë thotë se për 175 automjete do të shpenzohen 215 mijë e 600 euro, që është një diferencë e madhe nga 960 mijë kur ishte nënshkruar kontrata.

Për më tepër, oferta e agjencisë përfshin edhe vetura të forta si Volkswagen Passat, qiraja e të cilave kushton 150 euro në ditë, dhe kështu shuma që do të shpenzohej do të ishte shumë më e ulët.