Në lidhje me regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Republikën e Shqipërisë, i cili fillon më 18 shtator dhe do të kryhet për gjashtë javët e ardhshme, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë inkurajon të gjithë maqedonasit në Shqipëri që lirisht të shprehin përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore dhe fetare, në përputhje me ligjin dhe praktikën pozitive demokratike në Shqipëri.

“Shqipëria njihet në botë për shoqërinë e saj multietnike dhe multikulturore, në mënyrën se si u arrit në Maqedoninë e Veriut dhe që përfaqëson një trashëgimi autentike të paçmuar politike dhe kulturore. Duke e njohur rolin e maqedonasve si qytetarë lojal të Shqipërisë, regjistrimi i ardhshëm do t’u mundësojë atyre, përmes shprehjes së lirë të identitetit të tyre, të konfirmojnë përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore, fetare dhe identitare. Kjo do të konfirmojë edhe më shumë rolin e komunitetit etnik maqedonas në Shqipëri, në ndërtimin e urave të miqësisë mes dy vendeve”, thuhet në MPJ.

Nga aty kujtojnë se “Maqedonia dhe Shqipëria janë vende me marrëdhënie miqësore të jashtëzakonshme”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë do të qëndrojnë në komunikim intensiv me përfaqësuesit e bashkësisë etnike maqedonase në Shqipëri, si dhe me institucionet e Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, për çështje që prekin çështjet e identitetit. Vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë aktive në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre të drejtave në të njëjtën mënyrë siç kemi bërë deri më tani”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.