Nuk përjashtohet mundësia për ngritje të iniciativës për interpelancë të Qeverisë. Këtë në një intervistë për “Sitel” e paralajmëroi, Antonio Milloshoski nga OBRM-PDUKM, i cili tha se ka edhe deputetë të pushtetit që do të votojnë për mosbesim ndaj qeverisë aktuale. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, këto ditë me këmbëngulje pohon se brenda disa muajsh do të shihet se deputetët e grupeve parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së do të mbështesin shpërndarjen e Kuvendit dhe ndryshimin e Qeverisë.
“Është në lojë opsioni i iniciativës së mosbesimit ndaj Qeverisë, si mjet demokratik ku mund të kanalizohet kjo pakënaqësi e qytetarëve dhe e një numri më të madh deputetësh. Por, nga ana tjetër, ajo që na befasoi është që në vetë strukturat e LSDM-së brenda Kuvendit, u paraqitën deputetë, individë dhe grupe më të vogla të cilët nuk e përjashtojnë këtë opsion”, deklaroi Antonio Milloshoski, OBRM-PDUKM
“Praktika e gënjeshtrave, manipulimeve, defokusim të opinionit publik me gjëra krejtësisht jonormale, mund të them lirisht në lidhje me ngjarjet ditore politike po vazhdon. Z. kolegu Antonio Milloshoski është një njeri i dëshmuar i cili merret me lajme të rreme dhe manipulime të tilla. Unë e siguroj opinionin maqedonas se nuk ka kurrfarë mundësie për një gjë të tillë që dikush nga mazhoranca qeverisëse të votojë për interpelancë të Qeverisë dhe mbështetje të opozitës”, tha Martin Kostovski, LSDM.
Milloshoski bile pohon se mbi këta deputetë është ushtruar trysni nga ana e strukturave partiake.
“Mendoj se ka deputetë të LSDM-së që do ta përkrahnin interpelancën e tillë ose do të thosha mosbesimin ndaj Qeverisë, por në të njëjtën kohë mendoj se disa nga ata deputetë ditëve të fundit janë nën njëfarë presioni nga njerëzit e ekzekutivit për të ndryshuar mendimin e tyre ose të paktën të përmbahen nga shprehja e atij mendimi jashtë atyre bisedave joformale”, pohoi Antonio Milloshoski, OBRM-PDUKM.
Koherencën prej 64 deputetëve e kemi vërtetuar shumë herë, ndërsa shumica parlamentare, përkundër pretendimeve të opozitës se po shpërbëhet, do të vazhdojë të rritet për të përmbushur obligimin për votimin e ndryshimeve kushtetuese, pohon Kostovski.
“Mendoj se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin. Ai krah pro-europian të cilin deri më tani e kemi përmendur shumë herë në heshtje dhe me një dozë turpi, ekziston në OBRM-PDUKM – se ata do të inkurajohen dhe do ta ndajnë atë përgjegjësi si deputetë – në mandatin e dhënë të japin mbështetje, sepse vetëm ky opsion është në tavolinë. U bëj thirrje që të inkurajohen dhe t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Martin Kostovski, LSDM.
Përveç OBRM-PDUKM-së, “pro” kërkesës për zgjedhje të parakohshme është edhe Besa. Kryetari Bilal Kasami ka propozuar që së pari të organizohen zgjedhje, e pastaj të bëhen ndryshimet kushtetuese.
Comments are closed for this post.