Kryetari i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski pret të arrihet censusi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 5 maj.

“Presidenti i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë është prof. Gordana Siljanovska Davkova. Pres që të ketë census më 5 maj, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas liturgjisë së Pashkëve në Kishën “Shën Klimenti i Ohrit”, tha Mickoski.

I pyetur nëse ai do të merr përgjegjësi nëse kandidati i tyre humb në zgjedhjet presidenciale.

“Natyrisht, çdo garë zgjedhore është moment kur duhet të shqyrtohen angazhimet dhe politikat. Por me raundin e parë ne treguam dhe dëshmuam se VMRO-DPMNE është e konsoliduar, se qëndron fuqishëm në këmbët e veta. Fitoi në 47 komuna në Republikën e Maqedonisë fitoi 42.5 përqind të votave të atyre që vendosën të dilnin në raundin e parë. As që mendoj se ekziston ndonjë opsion tjetër për Republikën e Maqedonisë dhe për qytetarët dhe se Siljanovska është presidenti i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë. Natyrisht Shtabi zgjedhor republikan do të paraqesë raport mbi punën e realizuar, ndërsa Komiteti qendror është ai që do të vendosë se si dhe në cilin drejtim do të lëvizë partia”, shtoi Mickoski.

Në lidhje me ligjin për prokurorinë publike, me të cilin do të vendosë për statusin e ardhshëm të PSP, Mickoski tha se grupet punuese janë duke punuar, por që për momentin fokusi është në zgjedhjet presidenciale, pas të cilave pret zgjidhje për ligjin.

“E di që ka shkëmbime dokumentesh. Krejt është ende në versionin punues. Supozoj të gjitha forcat janë fokusuar drejt raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Shpresoj që menjëherë pas kësaj do të ulemi dhe do ta përfundojmë edhe atë punë. Por tani, LSDM ka mundësi të pranojë amendamentet që i ka propozuar opozita dhe menjëherë të shkojmë në Kuvend për ta votuar ligjin”, thotë Mickoski.

I pyetur për spastrimet e paralajmëruara në LSDM, tha se, nuk beson që diçka do të dalë prej saj. Sipas tij, “fshesa” do të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, kur qeveria aktuale, thotë ai, më në fund “do ta merr pozitën e merituar në anën e errët të historisë”.

Duke e komentuar deklaratën e Zijadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët, lidhur me atë nëse do t’i ftojnë votuesit e Blerim Rekës të dalin dhe të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, tha që pret se qëndrimin përfundimtar do ta thotë kryesia e partisë në mbledhjen e planifikuar për të enjten.

“Deklarata e tij është në drejtim të avancimit të demokracisë, në drejtim të asaj që është thelbi i demokracisë, e kjo është se qytetarët janë sovrani i padiskutueshëm i të drejtës së tyre për të votuar, nëse ata do të votojnë ose nuk do të votojnë. Nëse votojnë, të vendosin si do të veprojnë më 5 maj në raundin e dytë. Absolutisht nuk pajtohem se kjo është në drejtim të abstenimit. Përkundrazi, synon avancimin e kapaciteteve demokratike të vendit”, thotë Mickoski.