Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski edhe përkundër presionit ndërkombëtar thotë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, por se mund të bisedohet vetëm për zgjedhje të parakohshme.

”Politikanin Hristijan Mickoskin e patën në tavolinë, patën 1 vit kohë që të gjejnë 1 deputet që do të votojë për ndryshimet kushtuese. Patën disa zgjidhje që unë i propozova këto vitin e fundit, të gjithë këto propozime i refuzuan. Tani e kanë në tavolinë vetëm një punë, e kjo është që të ulemi dhe të merremi vesh për kohën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, tha Mickoski.

Javës që vjen janë të paralajmëruara vizita nga krerë të lartë diplomatik të vendeve evropiane, e Mickoski thotë se do të ishte i dëshpëruar nëse këta diplomat vijnë për të folur vetëm për ndryshimet kushtetuese.

Mickoski këto komente i dha në takimin që pati me zanatqinjtë, të cilëve u premtoi projekte me të cilat do të zgjidhet problemi i 10 000 personave që kanë zanate.