Sot para Qeverisë së Maqedonisë në mënyrë solemne është vendosur flamuri i NATO-s, pasi u nënshkrua protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri Zoran Zaev, ministrja e Mbrotjes Radmilla Sheqerinska dhe funksionarët tjerë qeveritar.

Zaev në fjalimin e tij tha se këto ditë janë mjaft të rëndësishme dhe se së shpejti do të zyrtarizohet edhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

“Gjatë periudhës së ardhshme do të jemi pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në pjesën më të rëndësishme të shtetit. E ardhmja më nuk është fat, pasi e kemi në duart tona. Këto ditë e fillojmë një etapë komplekse të shtetndërtimit, sipas standardeve evropiane. Me vendimet e Kuvendit tonë dhe Kuvendit të Greqisë, ne marrim pjesë në punën e Aleancës më të fuqishme në botë. Pas ratifikimit të protokolleve nga vendet-anëtare në NATO, zyrtarisht Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e Aleancës”.

“Sot vendosim flamurin e NATO, i cili nuk është vetëm simbol, por edhe realitet. Shumica e qytetarëve kanë qenë “pro” anëtarësimit në NATO. Ju qytetarë nga dita e parë e pavarësisë, e keni pranuar NATO-n si organizatë më të madhe. Falë mbështetjes suaj, ne do të ulemi në masë të njëjtë me 29 shtetet tjera. Dua të falënderoj ata që dhanë jetën në misionet paqeruajtëse të NATO-s”, tha mes tjerash Zaev.

Ndryshe, sot pritet që Sllovenia të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ndërsa më herët e ka bërë edhe Greqia.