Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar se gjatë javës së ardhshme do të vendoset rreth shfuqizimit të masave në vendkalimet kufitare. Përkatësisht, pritet që të hiqet masa e izolimit prej 14 ditësh për qytetarët që hyjnë në Maqedoni të Veriut, të cilëve përveç kësaj, sipas masave në fuqi, u kërkohej që të kishin testin negativ për koronavirus, jo më të vjetër se 72 orë.
Ky vendim vjen pas reagimeve të shumta të mërgimtarëve, sektorit të biznesit dhe agjencive turistike.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se tashmë ka dërguar kërkesë zyrtare te Komisioni për sëmundje ngjitëse, për të diskutuar mundësinë e shfuqizimit të masave që vlejnë për hyrjen në shtet.
“Ne si Ministri e Ekonomisë tashmë kemi diskutuar me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë çështje, njëherësh dhe zyrtarisht kemi dërguar kërkesë te Komisioni për sëmundje ngjitëse për lehtësimin e masave, gjatë kalimit të kufijve dhe presim që gjatë javës së ardhshme, këtë çështje ta diskutojmë në qeveri dhe të marrim vendim për shfuqizimin e masave që momentalisht janë në fuqi”, tha Bekteshi.
Aktualisht, personat që hyjnë në Maqedoni të Veriut duhet të dëshmojnë se janë negativ me koronavirus dhe testi nuk duhet të jetë më i vjetër e 72 orë. Por, pavarësisht kësaj, që të gjithë që hyjnë në shtet, duhet të vetizolohen për dy javë. Ndërkohë, personat që kalojnë transit nga Maqedonia e Veriut, apo turistët, obligohen që të largohen nga vendi brenda 5 orëve.
Për këtë çështje, sipas ministrit Bekteshi, do të vendosë Komisioni për sëmundje ngjitëse, por shton se ardhja e mërgimtarëve, përpos që është e rëndësishme për shkak të lidhjeve familjare, po ashtu paraqet një impuls të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
“Marrë parasysh rëndësinë e ardhjes së mërgimtarëve gjatë periudhës së verës, ne si Ministri e Ekonomisë nga aspekti ekonomik e kemi dhënë arsyetimin tonë se pse është e rëndësishme që atyre (mërgimtarëve) t’iu mundësohet qarkullimi i lirë, andaj i jemi drejtuar dhe Komisionit për sëmundje ngjitëse që ata ta japin mendimin e tyre profesional për këtë çështje”, thotë Bekteshi.
Ekspertët e ekonomisë thonë se edhe nëse lehtësohen masat, që kanë të bëjnë me lëvizjen e qytetarëve, bizneset e vogla tashmë po i ndjejnë pasojat e shkaktuara nga koronavirusi, veçanërisht tani kur mërgimtarët nuk janë në Maqedoni të Veriut.
“Pa dyshim se ndërhyrja e shteti me masa shtesë për të mbajtur në jetë këto biznese, veçanërisht moslargimin nga puna jo vetëm për kontributet, por edhe rrogat e punëtorëve dhe pse jo edhe përmes një forme tjetër duke mundësuar shitjen e produkteve të bizneseve të vogla përmes mbushjes së rezervave shtetërore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Arben Halili.
Masat e ashpra për hyrje në Maqedoninë e Veriut, të mbajnë të bllokuar dhe sektorin e turizmit, theksojnë nga Agjencia për mbështetje dhe promovim të turizmit, duke shtuar se turistët e parë të huaj në pikat turistike të vendit, siç është Ohri dhe Struga, pritet të arrijnë në fillim të muajit të ardhshëm.
Ndërkohë, më 22 qershor pritet të fillojnë të punojnë hotelet, duke respektuar protokolle të rrepta shëndetësore, që janë në fuqi, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të koronavirusit.
Porm Naum Martinovski, ligjërues në Fakultetin e Turizmit në Ohër, thotë se çdo vendim i qeverisë duhet të shqyrtohet mirë dhe të jetë në përputhje me kapacitetet që kanë hotelet, që t’iu përshtaten edhe masave që janë për të parandaluar koronavirusin. Pasi, sipas tij, dëmi që mund të pësojë vendi, nëse situata del nga kontrolli, do të jetë i pandreqshëm për një kohë të gjatë.
“E di se shumë hotelierë do të dëshironin që tani në këtë moment të shfuqizohen të gjitha masat, që kanë të bëjnë me hapjen e kufijve dhe lëvizjen turistëve, por mendoj se në plan të mesëm dhe afatgjatë kjo do të ishte shumë e dëmshme edhe për vetë ata. Vetëm të kujtojnë se sa imazh i keq krijohet për atë objekt kur konstatohet se një numër i caktuar është helmuar nga ushqimi, ndërkohë që nuk mund të imagjinohet se sa dëm mund t’i sjellë turizmit dalja e situatës nga kontrolli nëse ndonjë objekt hotelieri parqet burim të infeksionit”, thekson Martinovski.
Drejtuesit e dikasterit të shëndetësisë njëherësh kanë theksuar se “hapja e kufijve është diçka që kërkon koordinim rajonal, veçanërisht për sa i përket trajtimit të të infektuarve me koronavirus nëse gjinden jashtë shtetit të tyre”./REL/
Comments are closed for this post.