Në Kuvend sot është dita e parafundit e debatit për propozim-buxhetin për vitin 2022. Sipas Rregullores së punës, debati për propozim- buxhetin në seancë plenare zgjat pesë ditë.
Gjatë ditëve të kaluara pushteti dhe opozita dolën me qëndrime të kundërta. Për qeverinë, propozim-buxheti ka një komponentë të fuqishme zhvillimore dhe synon përmirësimin e përditshmërisë së qytetarëve në kushtet e krizës shëndetësore dhe energjetike, ndërsa opozita mendon se është një buxhet megaloman në të cilin në mënyrë fiktive janë parashikuar një numër i madh i investimeve kapitale.
Sipas pushtetit, Buxheti është një proces transparent dhe inkluziv për çka dëshmi është pranimi i 23 amendamenteve në vlerë të përgjithshme prej rreth 382 milionë denarë ku pjesa më e madhe janë nga opozita.
Nga Aleanca për Shqiptarët kanë thënë se nuk do të japin mbështetje ndaj propozim-buxhetit pasi sipas tyre prioritetet në propozim-buxhetin janë joreale, ka mungesë të transparencës, shqetëson niveli i borxhit publik dhe ekzistojnë arsye për shkak të cilës nuk mund të realizohet shkalla e projektuar e rritjes ekonomike.
Shpenzimet e përgjithshme në propozim-buxhetin janë planifikuar në 272,4 miliardë denarë ose 35,2 për qind nga BPV-ja, ndërsa të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 238,9 miliardë denarë ose 30,9 për qind nga BPV-ja. Deficiti është parashikuar në 33,5 miliardë denarë ose 4,3 për qind nga BPV. Investimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor dhe arrijnë në 37,8 miliardë denarë, që është rreth 27 për qind më shumë se në vitin 2021. I ashtuquajturi rregulli i artë në financa, pra deficiti buxhetor është më i ulët se shpenzimet kapitale.
Synimet kryesore të propozim buxhetit janë vazhdimi i kujdesit për mbrojtjen e shëndetit publik të popullsisë, rimëkëmbjen ekonomike, funksionimin pa probleme të funksioneve bazë të shtetit, përshpejtimin e rritjes, rritjen e investimeve në konsolidimin fiskal dhe mbështetjen e proceseve të reformës në gjyqësor dhe proceset e integrimit evropian.
Comments are closed for this post.