Maqedonia e Veriut do të ndjekë shembujt e disa shteteve evropiane dhe nga 1 dhjetori do të ndalojë përdorimin e qeseve të plastikës për konsum vetjak dhe familjar mbajtjen e prodhimeve të ndryshme. Në fakt, ndalesa fillestare me ligj daton që prej nëntë vjetësh apo prej vitit 2012, mirëpo ajo nuk kishte gjetur zbatim edhe në praktikë për shkak të sjelljes së rregullores për standardet e tretjes biologjike, që anulonte Ligjin e menaxhimit me paketimin dhe mbeturinat nga paketimi. Me miratimin e ligjeve të reja për menaxhimin me mbeturinat, pritet që mjetet e mbledhura do të shkojnë në fond me të cilin do të investohet në mjedisin jetësor.

Me fjalë të tjera përdorimi i qeseve plastike pritet të bëhet luks për shkak se në vend një apo dy denarë, ato do të kushtojnë 15 denarë, dhe në qarkullim do të lëshohen vetëm qeset që treten në aspekt biologjik. Njëherësh ideja është që ndotësi të paguajë më shumë, si dhe ulet në minimum përdorimi i plastikës. Nga Nisma për ndalesën e qeseve plastike vlerësojnë se çmimi prej 15 denarë do të demotivojë konsumatorët që pa nevojë të blejnë qese për përdorim të njëfishtë, duke i orientuar në qasje të tjera. “Kjo paraqet ndalesën e dytë ligjore për qeset plastike pas asaj të vitit 2012. Megjithatë me akt nënligjor të kundërt me ligjin, kjo ndalesë u anulua dhe u bë e pavlefshme për shkak se gati të gjithë sektorët fituan lehtësime dhe u vazhdua me shfrytëzimin e qeseve plastike tek ne”, thotë Snezhana Vasilevska nga Nisma për ndalesën e qeseve plastike.

Sipas saj çmimi i ri prej 15 denarë për blerjen e qeseve që do të zbatohet nga një dhjetori do dekurajojë qytetarët që të blejnë me qese të tilla, nuk është i orientuar që në mënyrë shtesë të kërcënojë standardin modest të qytetarëve, por synon të ndryshohen shprehitë dhe të orientohemi ndaj jetesës në një ambient më të pastër, dhe më të shëndoshë. Në ndërkohë, në shtetet evropiane se vjen e më shumë po zgjerohet ideja që në tërësi të ndalohet përdorimi i qeseve plastike, përmes rritjes së çmimit me qëllim që të detyrojnë konsumatorët të mos i blejnë ato, apo përmes anulimit të tërësishëm të përdorimit të llojit të qeseve të tilla. Në Maqedoninë e Veriut një pjesë e supermarketeve pritet të vendosin qese të letrës, të tjerat akoma shqyrtojnë se çka do tu ofrojnë blerësve, ndërsa pjesa tjetër ju sugjerojnë konsumatorëve që të mbajnë strajcë nga shtëpia.

Gjithashtu në vitin e kaluar Shoqata për menaxhimin me mbeturinat pranë Odës ekonomike prezentoi të dhënat se në vit në vend përdoren ndërmjet 120 dhe 150 milion qese plastike, apo afër 2000 tonë plastikë. Kjo paraqet dy deri tre për qind të mbeturinave nga paketimi, mirëpo është mjaft e madhe si vëllim. Njëherësh të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në vitin e kaluar, kompanitë në vend kanë prodhuar 5000 tonë ambalazh plastik dhe qese. Në ndërkohë, edhe Shqipëria nga 1 qershori i vitit 2022 do të ndalojë prodhimin, shitjen dhe futjen e qeseve plastike për përdorim individual. Paralajmërohen edhe disa masa shumë të forta në mbrojtje të mjedisit, ndërsa pritet të anulohen edhe lejet për mbetjet e riciklueshme pasi nxjerrja e mbeturinave nga kazanët ndotë ajrin. Të dhënat e Entit Evropian të mjedisit tregojnë se një e katërta e shteteve në botë kanë ndaluar në tërësi përdorimin e qeseve plastike, apo kanë rritur koston e tyre. Në Belgjikë dhe Irlandë ato tatimohen apo paguhen, në favor të uljes së ndotjes së ambientit.

Në Evropë ka filluar me të madhe zëvendësimi dhe riciklimi i plastmasit. Gjermanët me 60 qese të përdorura për frymë në vit, përdorin për gjysmë më pak qese plastike sa Australianët. Në të njëjtën kohë, Gjermania ka një sistem riciklimi shumë të mirë. Sido që të jetë, ndalesat janë të përshtatshme dhe të arsyeshme nëse ekziston një alternativë e përshtatshme. Kështu, në Itali, qeset plastike janë ndaluar dhe zëvendësuar me qese të biodegradueshme apo që treten. Ekspertët gjermanë nuk janë përkrahës të këtyre masave sepse këto qese nuk janë vërtet miqësore me mjedisin sepse dekompozimi i tyre gjithashtu merr 100 vjet. Agjencia Federale e Mbrojtjes së Mjedisit në Gjermani kundërshton ndalimin e përdorimit të qeseve plastike dhe propozon t’u bëjë thirrje konsumatorëve që të zëvendësojnë qeset plastike me qese prej pëlhure.

Statistikat tregojnë se një banor i BE -së përdor mesatarisht rreth 500 qese në çdo vit, dhe atë shumicën e përdor vetëm një herë. Komisioni Evropian gjithashtu përmend mundësinë e ndalimit të plotë të qeseve plastike. Gjykuar sipas fjalëve të Komisionerit Evropian për Mjedisin Janez Potoçnik, mund të konstatohet se qeseve plastike u ka skaduar afati. “Ne po rishikojmë të gjitha mundësitë, madje edhe ndalimin e përdorimit në BE”, thekson Potoçnik. Parlamenti gjerman, Bundestag, miratoi vitin e kaluar një ligj që ndalon qeset plastike në shitjen me pakicë nga viti 2022, me kusht që edhe më tej lejohen qeset e holla plastike për paketimin e pemë dhe perimeve. Ndalimi do të zbatohet për qeset plastike me një trashësi prej 15 deri në 50 mikrometra, të çilat janë qese standarde të përdorura në shitjen me pakicë. Vitin e kaluar, partitë opozitare Alternativa për Gjermaninë dhe Partia Liberale Demokratike votuan kundër ligjit sepse besojnë se është një masë e padrejtë për shitjen me pakicë gjermane, pa asnjë efekt të dukshëm në mjedis, duke shpjeguar se ajo vlen vetëm për tregtinë gjermane, ndërsa vendet e tjera të BE-së nuk preken nga këto masat ligjore. (koha.mk)