90 drejtues të motoçikletave dje janë sanksionuar nga Ministria e Punëve të Brendshme vetëm në territorin e Shkupit. Ngrohja e motit ka bërë që në rrugë të qarkullojnë edhe motorët, duke bërë që policia rrugorë të angazhohet për të parë nëse drejtuesit respektojnë ose jo rregullat për qarkullim rrugorë, jo vetëm tek veturat, por edhe tek ata.

Zëdhënësi i Punëve të brendshme, Toni Angelovski, tha se motoçikletat që gjatë natës shqetësojnë qytetarët duke shkaktuar zhurma përveç se do të sanksionohen edhe do të konfiskohen. Tejkalimi I shpejtësisë ka qenë shkelja më e shpeshtë e hasur tek drejtuesit e automjeteve gjatë fundjavës.
Vetëm gjatë së shtunës dhe së dielës janë shqiptuar 1069 sanksione për tejkalim shpejtësie, prej të cilave 157 janë në territorin e Shkupit, ndërsa 181 në territorin e Kumanovës.

“Para së gjithash bëhet fjalë për tejkalim të shpejtësisë. Në ditët e fundit, më konkretisht gjatë së shtunës dhe të dielës kemi përforcuar kontrollet në të gjithë territorin e vendit dhe kemi shqiptuar 1069 sanksione për tejkalim shpejtësie. Gjithashtu në territorin e SPB- Kumanovë, janë shqiptuar gjatë këtyre dy ditëve 181 sanksione për tejkalim shpejtësie. Nga 1 janari 2021 deri më 15 prill, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi ulje të numrit të fatkeqësive në komunikacion për rreth 12%”, tha Toni Angelovski, zëdhënës i MPB-së.

Për 14% është zvogëluar edhe numri i viktimave që jetën e kanë humbur nga aksidentet në komunikacione. Ministria e Brendshme ka paralajmëruar kontrolle të intensifikuara edhe gjatë ditëve në vazhdim.