Qeveria e Maqedonisë së Veriut synon që përmes aplikimit të projektit për kthimin e 15 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në xhepin e qytetarëve, të luftojë ekonominë e hirtë.
Ekspertët e ekonomisë thonë se ky projekt do të sjellë përfitime për ekonomitë familjare, nëse evitohen blerjet te shitësit joformal.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se nga 1 korriku, çdo qytetar që ka mbi 15 vjet dhe ka letërnjoftim të vlefshëm, do t`i mundësohet kthimi i TVSH-së.
Kryeministri Zoran Zaev ka bërë të ditur se të gjithë qytetarëve do t’iu kthehen 3 për qind nga fatura e blerjes. Kthimi i këtyre mjeteve do të rimbursohet nga vlera e TVSH-së. Siç ka thënë ai, qytetarëve do të t’u kthen 27 denarë (4.5 centë) nga çdo blerje në vlerë prej 1000 denarëve (16 euro).
Kryeministri Zaev njëherësh ka theksuar se tani qytetarët do të jenë më të motivuar që të kërkojnë kuponët fiskalë dhe me këtë, sipas tij, do të ngushtohet edhe hapësira e ekonomisë së hirtë.
“Me rëndësi është që të mos i lihet hapësirë ekonomisë së hirtë dhe në këtë mënyrë, sipas projektimit tonë, në buxhetin e shtetit do të kthehen rreth 50 milionë euro. Këto mjete do të jenë motivim shtesë për qytetarët, pasi që e dinë se me këto mjete shtesë ata do të munden të zgjidhin ndonjë çështje të caktuar për buxhetin e familjes së tyre”, ka deklaruar Zaev.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se kjo masë do të ketë ndikim në ekonominë familjare, me kusht që projekti të gjejë zbatim të plotë duke i ndihmuar qytetarët që ata ta realizojnë këtë të drejtë dhe jo duke i penalizuar për çdo gabim që mund ta bëjnë gjatë regjistrimit elektronik. Kjo sipas tyre, do t’i inkurajojë qytetarët që të bëjnë blerje në formë elektronike, si kusht për të marrë kthimin e TVSH-së.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Fatmir Bytyqi, për Radion Evropa e Lirë thotë se kjo i stimulon qytetarët që harxhimin e mjeteve për konsum, ta bëjnë në tregun formal.
“Ajo se çka duhet të kenë parasysh qytetarët, është që të evitojnë blerjen apo harxhimin e parave te shitësit joformal, tek entitet joformale, që do të thotë tek ata që punojnë në sektorin joformal sepse përpos që stimulojnë ekonominë e hirtë, atë joformale, dëmtojnë edhe xhepin e tyre”, thotë Bytyqi.
Nga dikasteri i financave kanë sqaruar se për t’iu kthyer qytetarëve paratë nga TVSH-ja, ata duhet që çdo llogari fiskale ta skanojnë me telefonin e tyre, më së voni një ditë nga lëshimi i kuponit fiskal.
Sipas dikasterit të financave, në dhjetor të këtij viti, pritet të bëhet pagesa e parë e parave. Por, vlera që një familje mund të përfitojë nga kthimi i TVSH-së, mund të arrijë më së shumti deri në 28.800 denarë (470 euro), brenda një viti./REL/
Comments are closed for this post.