Edicioni i 44-të i Festivalit Ndërkombëtar të Kamerës së Filmit “Vëllezërit Manaki”, ka filluar në qytetin e Manastirit. Festivali i sivjetëm me sloganin “The Beautiful Unknown” (E panjohura e bukur), filloi në Qendrën e Kulturës në Manastir me pjesëmarrjen e shumë mysafirëve.
Këtë vit, në festivalin i cili do të zgjasë deri më 29 shtator, do të përfshihen 80 filma, ndërsa përveç shfaqjes së filmave, do të organizohen edhe seminare, diskutime dhe punëtori.
Në këtë edicion të festivalit gjithashtu do të shfaqet edhe filmi më i fundit i regjisorit turk Nuri Bilge Ceylan, i titulluar “About Dry Grasses” (Mbi Barërat e Thata). Ky film është i përcaktuar si kandidati i Turqisë për “Filmin më të mirë ndërkombëtar” në Çmimet e 96-ta të Akademisë, ndryshe të njohura edhe si Oscar.
Filmi i solli aktores turke Merve Dizdar çmimin “Aktorja më e mirë” në Festivalin e 76-të të Filmit në Cannes të mbajtur në Francë.
Në kuadër të festivalit, kinematografit, fitues i çmimit Oscar, Peter Biziou, i është ndarë Çmimi i Arritjes Jetësore “Kamera e Artë 300”, ndërsa aktores dhe producentes Labina Mitevska Çmimi “Ylli më i Madh i Filmit Maqedonas”. Fituesi i Çmimit Special “Kamera e Artë 300” për Kontribut të Shquar në Artin e Kinemasë Botërore, kinematografi Seamus McGarvey, do ta marrë çmimin në mbylljen e festivalit.
Minsitrja e Kulturës e Maqedonisë, Bisera Kostadinovska Stojçevska, në fjalimin e saj në ceremoni tha se festivali mban të gjallë kujtimin e vëllezërve kuriozë Manaki, të cilët ushqyen vlerat e artit pamor në nivelin më të lartë dhe të panjohurën e deriatëhershme e panë si një sfidë të madhe.
Duke e përshkruar artin filmik si një mjet të fuqishëm dhe gjuhën më të kuptueshme që transformon lehtësisht të gjitha pengesat, Stojçevska tha: “Vëllezërit Manaki e kuptuan këtë shumë kohë më parë dhe u futën në filmin e tyre, duke arritur në të panjohurën të mrrekullueshme ku po shkoni edhe ju. Festa në Manastir tashmë ka filluar. Unë e shpall festivalin të hapur”.
Kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, nga ana e tij tha se si mikpritës të festivalit, dyert për institucionet kulturore i kanë të hapura deri në fund. “Ky edicion i festivalit Vëllezërit Manaki, i 44-ti me radhë, është një konfirmim i ri i rritjes kulturo-artistike të festivalit, por edhe të qytetit me të, që do të mbledhë një numër rekord të ftuarish këtë vit”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i festivalit, Simeon Moni Damevski, duke njoftuar se festivali këtë vit do të prese mbi 350 mysafirë, tha se “Këtë vit kemi rekord 80 filma, nëntë punëtori dhe dhjetëra ngjarje të ndryshme që do të lënë vulën dhe gjurmën e tyre magjike në vetë shpirtin e Manastirit”.
I organizuar nga Shoqata e Punëtorëve të Filmit të Maqedonisë nën patronazhin e presidentit Stevo Pendarovski, festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë, Komuna e Manastirit dhe institucione të ndryshme.
Festivali “Vëllezërit Manaki” është ndër festivalet më të vjetra të filmit kushtuar krijimtarisë kinematografike. Edicioni i parë i festivalit u mbajt në vitin 1979, ndërsa frymëzimi për themelimin e festivalit është nderimi i veprës fotografike dhe kinematografike të vëllezërve Janaki dhe Milton Manaki.
Comments are closed for this post.