Sot, më 25 janar të vitit 2019, Kuvendi i Greqisë me 153 vota “PËR”, 146 vota “KUNDËR” dhe 1 votë “TË PËRMBAJTUR” ka ratifikuar marrëveshjen me të cilën Maqedonisë i ndërrohet emri i shtetit në: MAQEDONIA E VERIUT.

Disa ditë më herët nëpërmjet Kuvendit të Maqedonisë me shumicë të dyfishtë (81 vota) kaloi ratifikimi i marrëveshjes me Greqinë, ku mes tjerash zgjidhet një problem shumë vjeçar bilateral dhe ndërkombëtar mes dy shteteve fqinje. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Prespë më 17 qershor të vitit 2018.

Më herët, para se të votohet kjo marrëveshje, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras tha: “Jemi në fund të një procesi të gjatë, historik dhe të lodhshëm. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk njohin kombe por shtete dhe bëhen në mes shteteve. Me këtë marrëveshje ne kemi kthyer në vend historinë antike greke”.

Përndryshe, në ambientet para Kuvendit ka pasur protesta të dhunshme nga qytetarët grekë dhe nga anëtarët e opozitës greke. Të njëjtët raportohet edhe se e kanë djegur flamurin e Maqedonisë.

Marrëveshja e mes Maqedonisë dhe Greqisë, është kundërshtuar ashpër nga opozita greke, sipas të cilëve, me këtë marrëveshje identiteti dhe gjuha maqedonase do t’u falen fqinjëve të tyre veriorë.