Procesi i ndryshimeve kushtetuese do të jetë një nga temat e takimit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Athinë. Ata ndodhen në Greqi me ftesë të kryeministrit Kyriakos Micotakis, i cili ftoi krerët e BE-së dhe liderët nga Ballkani në një darkë joformale. Përveç Leyen, në Athinë do të jetë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Çarls Mishel, i cili pritet t’i japë një stimul të ri integrimit evropian të vendeve të rajonit. Takimi organizohet me rastin e 20 vjetorit të samitit të Selanikut, ku u arrit marrëveshja për integrimin e shpejtë të rajonit në BE. Por deri më tani, vetëm Bullgaria, Rumania dhe Kroacia kanë arritur ta bëjnë këtë. Edhe përfaqësuesit e tyre janë në darkë. Sipas shkrimeve të mediave vendase, Micotakis dëshiron të dërgojë një mesazh se Greqia, si vend anëtar i BE-së, do të vazhdojë të jetë fuqi kryesore rajonale që do të shtyjë procesin e evropianizimit në Ballkan.

“Greqia ka forcuar ndikimin e saj gjeopolitik dhe energjetik në rajon në katër vitet e fundit dhe qëndron pranë vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtare e familjes evropiane, por edhe si ekonomia më e madhe në rajon që dëshiron integrimin e tyre evropian, për çka janë krijuar kushtet”, Burime nga Qeveria greke.

Megjithatë, partia opozitare Syriza, e ish-kryeministrit Alexis Cipras, ka reaguar ashpër ndaj njoftimeve të tilla. Ata i kërkuan nga Micotakis që të mos organizojë, siç thanë ata, një takim për PR, por të ofrojë hapa konkret për integrimin evropian të rajonit. Sipas Syrizës, Micotakis është hipokrit, sepse nuk e zbaton Marrëveshjen e Prespës, gjegjësisht vonon ratifikimin e tre memorandumeve që dalin nga ajo, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e bashkëpunimit me Maqedoninë, veçanërisht në ekonomi.

“Ju kujtojmë se Micotakis është i vetmi kryeministër evropian që nga njëra anë i bën thirrje BE-së të vazhdojë me integrimin e  Maqedonisë së Veriut (dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor) në më pak se dhjetë vjet, ndërsa nga ana tjetër refuzon të ratifikojë tre marrëveshjet teknike me shtetin fqinj”.

Nga rajoni do të jenë të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.

Edhe pse Greqia pritet të ndihmojë integrimin e gjithë rajonit, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes Tiranës dhe Athinës, nuk do të ketë asnjë përfaqësues të Shqipërisë. Micotakis vendosi të mos e ftojë kryeministrin Edi Rama, por presidentin shqiptar Bajram Begaj. Por ai e refuzoi ftesën për shkak të orarit të ngjeshur. Megjithatë, në prapavijë qëndron rasti i “Fredi Belerit”. Ai deklaron se është me origjinë greke dhe në zgjedhjet e fundit është rizgjedhur kryetar i bashkisë shqiptare të Himarës.

Megjithatë, ai përfundoi në burg me akuzën e blerjes së votave. Greqia kërkon lirimin e tij dhe kërcënon se do të pengojë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Tirana u përgjigj se Athina nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit. Krahas skandalit me ftesën në Tiranë, darka kushtuar integrimit evropian të rajonit la në hije takimin dypalësh të Micotakis me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç. Marrëdhëniet midis Athinës dhe Zagrebit janë acaruar pasi Kroacia akuzoi autoritetet gjyqësore greke për arrestimin e pajustifikueshëm të tifozëve të pafajshëm kroatë që ishin të pranishëm në kryeqytetin grek kur u vra një nga tifozët e AEK-ut.