Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot pasdite kishte bisedë telefonike me kryeministrin e Republikës Helene, Kirjakos Micotakis, i cili e uroi për zgjedhjen për kryeministër dhe i dëshiroi punë të frytshme dhe të suksesshme.
Siç njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë, të dy kryeministrat janë pajtuar se marrëdhëniet mes të dyja vendeve janë në nivel të shkëlqyeshëm dhe se do të vazhdojë të ndërtohet dhe përforcohet partneriteti.
Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski e ka falënderuar kryeministrin Micotakis për mbështetjen që ai në vazhdimësi e jep për hapjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe e ka njoftuar me disa nga rezultatet nga vizita e kryeministrin e Bullgarisë, Petkov në Shkup dhe nga vizita e ndërsjellë dhe mbledhja e përbashkët e qeverive në Sofje.
“Përgjatë respektimit të ndërsjellë dhe dialogut të bazuar në vlera evropiane, besoj se mund të gjejmë zgjidhje në interes të të dyja vendeve dhe popujve”, ka theksuar Kovaçevski në bisedën telefonike me homologun e tij grek, Micotakis.
Kryeministrat Kovaçevski dhe Micotakis kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin në energjetikë, kulturë dhe sfera të tjera të rëndësishme, me çka u dakorduan edhe për takim të përbashkët në kuadër të Forumit Delfi në Athinë i cili duhet të mbahet gjatë muajit prill 2022.
Nga kabineti i kryeministrit grek njoftuan se vullneti i ndërsjellë për përforcim të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit bilateral, me theks në sektorin ekonomik dhe tregtar, ishte konstatuar gjatë bisedës telefonike të dy kryeministrave.
Micotakis e ka përsëritur mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë së Veriut, sipas kritereve të vendosura.
Kryeministri grek, sipas kabinetit të tij, ka theksuar se kjo përkrahje është “drejtpërdrejtë e lidhur me zbatimin e tërësishëm dhe konsekuent të Marrëveshjes nga Prespa, që po ashtu është pjesë e procesit aderues”.
Kjo është biseda e parë telefonike dhe kontakti i parë i kryeministrit Kovaçevski me kolegun e tij grek.
Comments are closed for this post.