Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti seancë konstitutive të Këshillit të Sigurisë.

Në këtë seancë u konstatua se gjendja në vend është stabile dhe nuk ka indici për cenimin e kufijve, integritetin dhe sovranitetin e shtetit. Të pranishmit kanë konstatuar se sistemi i sigurisë kombëtare është funksional, ndërsa u fol edhe për pjesëmarrjen e Armatës në misionet.

Në këtë seancë morën pjesë edhe anëtarët e Këshillit të sigurisë të cilët presidentja një kohë më parë i emëroi, këta janë: Malinka Ristevska Jordanova – eksperte për eurointegrime, Xhevdet Hajredini – ish ministër i financave dhe Vlladimir Spiridonov-ekspert për ndryshime klimatike.

Por me ftesë të Siljanovska Davkovës morën pjesë edhe kryeshefi i Shtabit të përgjithshëm të Armatës, Sashko Llafçiski dhe drejtorët e sapo emëruar të Agjencisë kombëtare për zbulim, Gabriella Jakovleva dhe të Agjencisë për siguri kombëtare, Bojan Hristovski. Këshilli i sigurisë do të mblidhet në çdo tre muaj, thuhet në kumtesën e kabinetit.