Kompania farmaceutike amerikane “Pfizer” njoftoi të hënën se vaksina e saj eksperimentale kundër COVID-19 ka dëshmuar një nivel efektiviteti me të lartë se 90 për qind. Ky zhvillim shihet si një fitore e madhe në luftën kundër një pandemie që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se një milion njerëzve në mbarë botën, krahas dëmtimit të ekonomisë e shkatërrimit të jetës së përditshme.

“Pfizer” dhe partneri i saj gjerman “BioNTech” janë të parat që shpallin të dhëna të suksesshme nga provat klinike në shkallë të gjerë të një vaksine kundër koronavirusit. Kompanitë thanë se deri më tani nuk kanë ndeshur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe presin që të kërkojnë autorizimin e autoriteteve amerikane për përdorimin emergjent të vaksinës, këtë muaj.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka reaguar pas lajmit se vaksina për Covid-19 e zhvilluar nga Pfizer, ka rezultuar 90 për qind efektive.

Downing Street i ka përshëndetur rezultatet e komunikuara sot nga Pfizer/BioNTech, duke i përshkruar si premtuese ndërsa shtoi se Britania e Madhe do të ketë prodhuar 10 milion doza deri në fund të vitit, nëse ajo aprovohet.

Ndërsa 30 milion doza të tjera janë porositur për vitin tjetër.

Zëdhënësi i kryeministrit u shpreh: “Ne do ta dimë nëse vaksina është si e sigurt ashtu edhe efektive në momentin që të dhënat e sigurisë publikohen dhe vetëm atëherë autoritetet e licencimit mund të konsiderojnë që ta bëjnë atë të disponueshme për publikun.”

Ndërkohë, shtoi ai, NHS është në gatishmëri për nisjen e një programi vaksinimi për grupmoshat më të rrezikuara, sapo një vaksinë për Covid-19 të jetë e disponueshme.

Kurse, Sir Keir Starmer në një postim në Twitter shkroi se njoftimi nga kompania farmaceutike ishte një “lajm vërtet shpresëdhënës.”