Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për të protestuar, njofton Policia e Kosovës. “Para objektit të komunës së Zveçanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme si sprejin, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. Protestat pranë komunave veriore janë duke vazhduar, ndërkohë Policia e Kosovës i ka ftuar qytetarët të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Pjesëtarë të KFOR-it janë pozicionuar sot në mëngjes në veri të Mitrovicës, nga ura kryesore në lindje-perëndim dhe në Zveçan. Në gjithë rrugën në drejtim të Lagjes së boshnjakëve dhe Tre rrokaqiejve janë vendosur dhjetëra autoblinda.

Qytetarë serbë në mënyrë të organizuar janë nisur nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit për të kundërshtuar sërish kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit.

Gjithashtu, pjesëtarë të KFOR-it janë pozicionuar në vijën e parë të ndërtesës së Komunës së Zveçanit, ndërsa Policia e Kosovës vazhdon të qëndrojë përreth godinës.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg dje i bëri thirrje Kosovës të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues” në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Kryetari i ri Zveçanit, Ilir Peci, ka njoftuar se katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës sot do të zhvillojnë takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.