Situata e tensionuar e këtyre ditëve në komunat veriore, ka bërë që NATO të dislokojë 700 trupa shtesë. Por, Admirali i NATO-s që po qëndron në Kosovë, Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, gjatë një takimi sot me komandantin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), ka thënë se kanë vënë në gatishmëri edhe një batalion rezervë i cili është në gatishmëri të lartë, nëse është e nevojshme.

“Diskutimet e tyre përfshinin 700 trupat shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast të trupave shtesë nëse janë të nevojshëm”, thuhet në njoftim.

Munsch u takua edhe me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara për t’u konsultuar me ta për mbështetjen e tyre për një rikthim në dialog dhe për t’i dhënë fund dhunës.

“Admirali e mbylli vizitën e tij duke u bërë thirrje “të gjitha palëve, përfshirë ato që vendosën kushtet për dhunën më 29 maj, të përmbahen nga vendimet dhe veprimet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe në vend të kësaj të angazhohen në negociata diplomatike”.