Juventusi është afër kompletimit të një marrëveshje për transferimin e mbrojtësit argjentinas, Cristian Romero, të cilin synon ta transferojë për 30 milionë euro.

Mbrojtësi 20-vjeçar ka qenë njëri ndër lojtarët më të kërkuar nga Juventusit gjatë kohës së fundit. Për shkak se mbrojtësit aktual të klubit janë më të vjetër, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë insistuar edhe më shumë për transferimin e Romeros, transmeton Gazeta Express.

Juventusit tashmë iu ka larguar Medhi Benatia, i cili, gjatë afatit kalimtar të janarit, u transferua në klubin nga Katari, Al-Duhail. Giorgio Chiellini dhe Leonardo Bonucci janë për momentin dyshja e parë e mbrojtjes, megjithatë, për shkak të moshës së tyre, Juventusi ka qenë në kërkim për një zëvendësues.

Genoa shpresonte se do t’i përfitonte 35 milionë euro nga transferimi i yllit të skuadrës, megjithatë mediat italiane raportojnë se dy klubet kanë arritur marrëveshje për 30 milionë euro.

Romero do t’i bashkohet Juventusit gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo ai mund të huazohet pastaj edhe për një sezon tjetër në Genoas, ku do të ketë mundësi të zhvillohet edhe më tej si futbollist.

Përveç këtij transferimi, Juventusi është duke e shqyrtuar edhe mundësinë për transferimin e yllit holandez të Ajaxit, Matthijs de Ligt. De Ligt është vetëm 20-vjeçar, mirëpo e ka fituar çmimin “Golden Boy” këtë vit, çmim ky me të cilin shpërblehet lojtari i ri më i mirë në botë.