Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, sot në foltoren e Kuvendit ka mbajtur fjalimin vjetor në të cilin ka folur për shumë tema aktuale në vend.
Ivanov në fjalimin e tij, kritikoi ashpër politikat e qeverisë në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, si dhe me ndryshimet kushtetuese.
Ai tha se Ligji për amnisti të cilin e miratuan deputetët e shumicës parlamentare dhe i cili u dekretua nga vetë presidenti, është sjellur për të bërë presione dhe për të bërë këmbime me deputetët.
“Faljet që i bëj unë dhe faljet që i bëni ju kanë shumë dallim. Unë i fal të burgosurit që të shmanget kaosi, ndërsa ju falni për të bërë presione dhe për kompensime. E kam dekretuar Ligjin për amnisti, për shkak të patriotëve të pafajshëm të cilët kanë qenë të pranishëm më 27 prill në hapësirat e Kuvendit”, tha Ivanov.
Ai ngriti edhe një çështje të rëndësishme për përgjimet në Maqedoni, ku tha se me urdhër gojor është përgjuar ai, familja e tij dhe anëtarët e kabinetit të tij.
“Kam informacione se me urdhër gojor, e përsëris me urdhër gojor, jam përgjuar unë, familja ime dhe anëtarët e kabinetit tim. Kam pasur edhe kërcënime. Politikanë të ndryshëm hapur kanë bërë thirrje për eliminim të presidentit”, tha mes tjerash Ivanov.
Ai foli edhe për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë dhe akuzat ndaj tij se ai ka qenë njëri ndër organizuesit kryesor, duke thënë se nuk ka pasur asnjë plan që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme gjatë të “enjtes së përgjakshme”.
Presidenti tha se politikat e qeverisë duhet të fokusohen drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve, për të cilët tha se jetojnë në varfëri./Telegrafi/
Comments are closed for this post.