Bergamo është prekur nga pandemia si asnjë qytet tjetër. Ndërmarrjet u mbyllën me javë të tëra, por banorët shohin drejt së ardhmes dhe shpresojnë që çdo gjë të marrë për mirë sa më shpejt.

“Virusi që u përhap nëpër botë, më zuri dhe mua, erdhi fshehurazi, i padukshëm dhe gjakpirës. Me egërsinë e një kafshe Savane, me helmin e një gjarpëri shkretëtire, pa zhurmë si një hajdut nate.” – tregon Flavio Moro që u shtrua në spital me Covid19 por doli pa u shëruar krejtësisht dhe tani qëndroi i izoluar në karantinë në shtëpi për tri javë. “Tani kam kohë sa të duash të kujtohem për shokët që kam humbur.….” – thotë pensionisti.

Familja e Flavio Moros kaloi ditë me frikë dhe ankth, kur ai pati ethe dhe vështirësi në frymëmarrje. Tani Flavio është më mirë. Javën e ardhshme do të bëjë analizat, dhe deri sa të vijë ajo ditë ai jeton në distancë nga familja.

Vuhani italian

Bergamo ndodhet në zemër të Lombardisë dhe është ndër qytetet më të prekura prej krizës së madhe të Coronës. Qyteti me 120 mijë banorë shihet si një nga më të prekurit prej pandemisë Corona në Bel Paese. Në Bergamo u vunë madje në përdorim makinat ushtarake për të transportuar arkivolët. Prandaj disa e quajnë Bergamon, Vuhanin italian. Dhe kjo do ta ndryshojë qytetin përgjithnjë.

Shumë institucione sociale u mbyllën, sikurse edhe shumë firma dhe sipërmarrje. Ndër to edhe punishtja e Ferruccio Agazzit. Disa kolegë ishin me temperaturë, por aty nuk pati ndonjë konfirmim se dikush qe infektuar me Covid 19. Ka disa ditë që punishtja e Ferruccio Agazzit si dhe mjaft ndërmarrje të tjera lejohet të fillojnë punën, dhe punonjësit të kthehen sërish ku kanë qenë.

Qeveria ka vendosur masa të forta sigurie, kuptohet, thotë Agazzi, por siç ndodh shpesh në Itali, rregullat janë të komplikuara. “Ne mundohemi të kuptojmë se cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të filluar punën sërish. Pajisjet mbrojtëse, si maska dhe doreza nuk gjenden kurrkund. Edhe kur i gjen nuk e di a janë siç duhet apo jo. Nuk dihet nga vijnë. Sepse kanë dalë mashtrues sa të duash tani. Ka njerëz që spekulojnë me tragjedinë.” – thotë sipërmarrësi.

Frikë nga falimentimet

Shumë italianë janë të shqetësuar se si do t’i vejë puna Italisë. Corona e ka mposhtur vendin jo vetëm nga shëndeti, por edhe nga ekonomia. Ferruccio Agazzi ka ende frikë jo për veten, por për të ardhmen e sipërmarrjes së tij. Shumë ndërmarrje varen nga ndihmat e shtetit, që duhet të vijnë shpejt, sepse nëse ndihmat vijnë në korrik, atëherë shumë sipërmarrje do të kenë falimentuar.\REL