Nga sot e deri më 30 prill, mbi 1000 produkte ushqimore dhe jo ushqimorë pritet të lirohen pas vendimit të Qeverisë për kufizimin e marzhës dhe ngrirjen e çmimeve të disa produkteve. Etiketën “Më pak kosto, më shumë për ju” duhet të mbajnë produkte si, buka, mielli, qumështi, kosi, vezët, vaji i gatimit edhe disa produkte të tjera.

Për mishin dhe produktet e mishit, sheqerin, orizin, fasulet, makaronat, djathin, margarinën, gjalpin, kafen, lëngjet, perimet dhe frutat e konservuara, si dhe për disa pije alkoolike është vendosur marzhë 10%, ndërsa 15% marzhë do të llogaritet për disa fruta dhe perime të freskëta dhe për produktet e higjienës personale dhe ushqimeve për fëmijë. Edhe përtej kësaj marzhë të caktuar nga Qeveria, qytetarët thonë se nuk mund të përballojnë çmimet me ato pak të ardhurat që marrin.

“Çdo gjë është e shtrenjtë, çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit, kushtet janë katastrofë. Me pensionin nuk mund t’ia dalim jo, vetëm ndonjë ndihmë nga njerëzit se përndryshe nuk mund të jetohet me këto çmime pasi jemi si në Evropë, çmimet janë katastrofë”, u shpreh një qytetar.

“Ku ka lirë? Më dërgoni diku ku ka lirë. Nuk ka market të lirë? Jo, nuk ka askund. A është e vështirë të jetohet me të ardhurat që merr? Po, e vështirë për mua, jetoj me pension dhe sa bukë e kripë të hamë, aq, më shumë s’ka. Pensioni i ulët, 200 euro dhe çfarë të bëjmë me aq”, tha një tjetër qytetar.