Shqipëria firmosi sot në Bruksel një marrëveshje partneriteti me Bashkimin Europian në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Marrëveshja e nënshkruar nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme Kaja Kallas dhe dy ministrat e Shqipërisë, ai i Jashtëm Igli Hasani dhe i Mbrojtjes Pirro Vengu, synon rritjen e bashkëpunimit në çështjet e sigurisë.
Zonja Kallas e cilësoi marrëveshjen “një kapitull të ri në bashkëpunimin mes miqsh dhe aleatësh”.
Në vitin 2020, Bashkimi Europian vendosi të niste negociatat për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë. Dje u çelën bisedimet për një tjetër grupkapitull, që përfshin politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, ndërsa në tetor u hap grup kapitulli themelor, që përfshin mes të tjerash gjyqësorin, të drejtat themelore dhe politikat kundër korrupsionit.
Ndërkohë sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se Athina do ta mbështesë Shqipërinë në procesin integrues, por me kusht që ajo të respektojë minoritetin etnik grek.
“Mikja jonë Shqipëria e di se rruga drejt Bashkimit Europian është vazhdimisht e kushtëzuar dhe në thelb ne jemi rregullatorët e shpejtësisë me të cilën Shqipëria do të lëvizë drejt Europës”, tha zoti Mistsotakis.
Ai i bëri këto komente në Janinë, në ceremoninë e nisjes së punimeve të autrostradës që do të lidhë Janinën me Kakavijën.
Për gati një vit, hapja e bisedimeve me Shqipërinë, u mbajt peng nga Greqia, për shkak të arrestimit të ish kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, përfaqësues i pakicës greke.
Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar nën akuzën për blerje të votave. Zoti Beleri u la i lirë në shtator të këtij viti, pasi fitoi mandatin si ligjvënës në Parlamentin Europian, si kandidat i partisë konservatore të zotit Mitsotakis, “Demokracia e Re”.
Kryeministri grek tha sot se Athina ka kërkuar përherë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por mbështetja për anëtarësim do të varej nga shpejtësia e përmbushjes së detyrimeve prej saj lidhur me të drejtat e pronave dhe të drejtave të tjera të minoriteti grek në Shqipëri.
Shqipëria, së bashku me Bosnjen, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë kërkojnë prej vitesh anëtarësimin ne BE dhe janë përfshirë në bisedime me Brukselin se si mund të përshpejtojnë reformat e nevojshme që të mund t’i bashkohen bllokut evropian prej 27 vendesh.
Por progresi ka ngecur, kryesisht për shkak të përparimit të ngadaltë në realizimin e reformave, por edhe si pasojë mungesës së dëshirës mes vendeve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.
Deklaratat e sotme të kryeministrit grek lidhur me procesin integrues të Shqipërisë u bënë përpara se ai të udhëtonte drejt Brukselit, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Comments are closed for this post.