Gjykata Themelore në Shkup vendosi të martën që paraburgimi prej 30 ditësh për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi të mbetet ende në fuqi, dhe e njëjta të zbatohet nga momenti kur ai të jetë në dispozicion për organet e ndjekjes penale.

Ky vendim pason ankimimin e bërë javën e kaluar nga avokati i Grubit kundër vendimit të kësaj gjykate, e cila, me propozim të Prokurorisë Publike, më 17 dhjetor kishte urdhëruar masën e paraburgimit.

“Këshilli Penal, duke vepruar sipas ankesës së parashtruar nga mbrojtja e A.G., i padisponueshëm për organet e ndjekjes penale, kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake, mori një vendim me të cilin e hodhi poshtë ankesën e mbrojtjes dhe konfirmoi vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake”, njoftoi Gjykata Penale e Shkupit më 24 dhjetor.

Grubi, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, akuzohen për “përvetësim të pasurisë së paligjshme” nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro. Më 18 dhjetor, ndaj tyre u shpall edhe një fletarrestim ndërkombëtar.

Deri më tani, asnjëri nga ta nuk është i disponueshëm për organet e rendit.