Eroll Shaqiri nga Shkupi për momentin është me angazhim në Xhibuti, shtet në Afrikë. Por ai është vazhdimisht në rrjedha me zhvillimet në Maqedoni. Shaqiri ka kritikuar sjelljen e qytetarëve të Maqedonisë në kohën e epidemisë, duke theksuar se edhe pse Xhibuti është shtet më i pazhvilluar , atje qytetarët po tregojnë më tepër disiplinë me masat kundër COVID 19, pa u shpallur orë policore.

“Shikoni në internet ku gjendet Xhibuti dhe sa është i zhvilluar, këtu nuk ka masa policore, nuk ka orë policore, ka vetëm rekomandime. Do të publikoj fotografi këtyre ditëve të shikoni se si njerëzit në mënyrë të kulturuar në banka e markete mbajnë së paku një metër distancë. Domethënë Xhibuti, jo Japonia, ose Suedia”, ka shkruar Shaqiri.