Lufta mes FIFA-s dhe UEFA-s është intensifikuar gjatë kohës së fundit, pasi që këto dy organizata nuk po arrijnë të pajtohen për propozimin për ta ndryshuar formatin e Kupës së Botës për Klube.

Që kur Gianni Infantino u zgjodh president i organit qeverisës të futbollit botëror, FIFA-s, ai ka insistuar që ta bëjë çdo garë më emocionuese dhe me konkurrencë më të madhe, transmeton Gazeta Express.

Infantinos i pëlqen fakti që Kupa e Botës organizohet vetëm një herë çdo katër vjet dhe për këtë arsye, ai po shpreson se do të arrijë ta ndryshojë formatin e Kupës së Botës për Klube. Sipas Infantinos, kjo garë për klube duhet të zhvillohet vetëm një herë çdo dy vjet dhe në të të marrin pjesë 24 klube.

Por, organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, e ka refuzuar këtë propozim, pasi që beson se një garë e tillë do ta kërcënonte Ligën e Kampionëve. Mirëpo, Infantino synon ta gjejë një mënyrë për ta kaluar këtë kundërshtim, pasi që e dëshiron me ngulm formatin e ri të Kupës së Botës për Klube.

Më 15 mars, në Miami do të mbahet kongresi i FIFA-s dhe pikërisht në këtë kongres, Infantino po shpreson se do të arrijë ta kalojë propozimin e tij.

Në qershor, FIFA do t’i mbajë zgjedhjet presidenciale, por Infantino është i vetmi garues për këtë pozitë. Kjo gjë bën që shpresat e tij për Kupën e Botës për Klube të kenë gjasa më të mëdha për t’u realizuar.

Infantino e kupton se planet e tij mund të mos bëhen realitet deri në vitin 2021. Mirëpo, Shoqata e Klubeve Evropiane dëshiron që ky plan të mos jetësohet të paktën deri në vitin 2024.