Ora 5 e mëngjesit. Në xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup, kujdestarët përgatisin hapësirat ku do të falet namazi i Fitër Bajramit. Ai i sabahut, ashtu edhe siç pritej, nuk u fal në xhami. Megjithatë, besimtarët të kënaqur që të paktën iu lejua falja të Bajramit në xhami. Besimtar: “Kryesorja është namazi”. Dëshirën për t’u falur në xhami nuk e pengon asgjë. Besimtar: “Unë dua në emër të shoqatës së personave me nevoja të veçanta, t’ua uroj edhe personave me nevoja të veçanta këtë ditë të veçantë”. Shumica mbanin maska dhe sixhade personale, ashtu siç edhe ishte bërë apel. Ata që nuk kishin maska, u jepej nga vullnetarë në xhami. Besimtar: “Ne duhet t’i përcjellim rekomandimet që i ka dhënë Ministria e Shëndetësisë si dhe BFI-ja, ata të cilët nuk kanë maska, ne i shpërndajmë vullnetarisht, ne që e kemi marrë këtë iniciativë”. Në hyrje të xhamisë qëndronte tavolina me dezinfektues duarsh. Për të ruajtur distancën brenda janë vendosur shënjuese se ku duhet qëndruar. E nëse brenda distanca fizike ishte më strikte, jashtë nuk ishte e tillë, megjithatë oborri nuk ishte i stërmbushur, madje kishte hapësira të lira. Besimtarët u ndanë të kënaqur me masat mbrojtëse. Besimtar:“Shumë i suksesshëm doli ky Fitër Bajram, gëzuar të gjithë besimtarëve”. Duke qenë se ora policore fillon në 11, për TV21 thanë se kësaj here festën do ta kalojnë vetëm në rrethin më të ngushtë familjar. Besimtar: “Do ta falim Bajramin, do të shkojmë në shtëpi, të bëjmë Bajram me më të afërmit, mjafton, për sivjet duhet ta kalojmë kështu”. Besimtar: “Unë nga këtu do të shkoj në shtëpi. Me familjen time, ndonjë lëng, ëmbëlsirë, në internet në rrjete sociale, do flas në Evropë, nuk dua t’i shkel rregullat”. Ceremonia qendrore edhe këtë vit u mbajt në “Mustafa Pashë”, por për dallim nga herët e kaluara, nuk u organizua program i veçantë. Këtu u fal edhe kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reis’ul ulema Sulejman Rexhepi me një pjesë të Rijasetit. Ai uroi që Bajramet e tjera të jenë në kushte më të mira dhe me fitore ndaj së keqes, siç është koronavirusi, të cilin e shpalli “të vdekur”. “E keqja ndërkombëtare që tronditi tërë globin, mbarë njerëzimin, ishte koronavirusi, pandemia COVID-19, të cilën unë besoj se e kemi mundur. Unë kam bindjen se e kemi fituar dhe prej këtij momenti mund ta shpallë të vdekur njëherë e përgjithmonë”, tha Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së. Rexhepi uroi për festën e Bajramit, ndërsa në fund nga një gazetar mori urime për fejesën. Gazetar: “Reis, vetëm të ju urojmë në veçanti për fejesën. Me fat! S.R: Faleminderit!” Urime për Bajram kanë dërguar edhe krerët shtetërorë./TV21