Gjyqësori në Maqedoni duhet të merr masa për të gjitha çështjet e korrupsionit. Kështu tha euroambasadori në Maqedoni Mihailis Rokas kur u pyet për qëndrimin e BE-së për futjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në Listën e Zezë Amerikane.
“Ne e marrim parasysh këtë listë të zezë të SHBA-ve. Mendoj se ajo që ka rëndësi është që gjyqësori këtu në vend të marrë masa jo vetëm për këto çështje të veçanta, por për çdo çështje të korrupsionit në vend”, tha Rokas.
Ai tha se Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, i forcuar
“Ka shumë rekomandime nga BE-ja, duke përfshirë mekanizmin e rishikimit ku kemi pasur 40 rekomandime se si mund të sigurojmë që gjyqësori të mund të forcohet dhe të jetë plotësisht i pavarur për të vepruar dhe kryer rolin e tij. Ky është një prioritet kryesor për anëtarësimin e ardhshëm të vendit në BE, një gjyqësor i pavarur dhe i fortë është platforma që do t’i lejojë vendit të ecë përpara dhe të përparojë. Shpresojmë që kjo të arrihet në muajt në vijim”, tha Rokas.
I pyetur për bastisjen e Policisë në Këshillin Gjyqësor e cila u krye me urdhër të Prokurorisë Publike, Rokas tha se Prokuroria Publike ka gjithmonë mundësinë në një sistem gjyqësor të pavarur dhe të fuqishëm për të kryer hetimet e nevojshme për çdo rast.
“Nuk mund të komentoj për çdo akt individual, por është thelbi i një demokracie funksionale kur prokuroria publike nga njëra anë ka të gjitha mjetet në dispozicion për të bërë hetimet e nevojshme nëse ka ndonjë pretendim për korrupsion apo probleme të ngjashme”, tha Rokas.
Comments are closed for this post.