Vdiq dhe një mjek tjetër në Shqipëri si pasojë e koronavirusit të rrezikshëm, njofton korrespondentja e MIA-s.
Bëhet fjalë për një nga epidemiologët më të njohur shqiptar, Vilson Topulli, me punime të shumta shkencore dhe që është përballur me disa epidemi që sunduan në vend.
Lajmi u bë i ditur nga Silva Bino, drejtuese e departamentit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë duke i dhënë lamtumirën emocionuese kolegut të saj.
“Kjo pandemi na mori sot kolegun tonë të palodhur Vilin, Vilson Topullin. Ishte historia dhe kujtesa e ISHP-së ku kishte filluar punën qysh 19 vjeç. Të na falesh Vili që nuk të mbrojtëm e nuk të shpëtuam dot. Të qoftë i lehtë dheu kolegu jonë i mirë”, shkroi ndër të tjera Bino në Fejsbuk.
Që nga 30 qershori, kur Arjan Pushi, hematolog dhe profesor i mirënjohur në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, humbi betejën me virusin e rrezikshëm, Topulli është mjeku i pestë që vdiq si rezultat i Kovid-19.
Koronavirusi i rrezikshëm po merr hov në Shqipëri, ku këtë muaj mesatarisht në ditë regjistrohen mbi 150 persona të sapoinfektuar. Në të njëjtën kohë, numri i vdekjeve po rritet, mesatarisht katër pacientë në ditë.
Sipas statistikave zyrtare, 18 deri 20 për qind e atyre që testohen brenda 24 orëve janë pozitiv.
Comments are closed for this post.