Universiteti Ndërkombëtar i Strugës në Maqedoninë, i cili është pjesërisht në pronësi të djalit të kryetarit të kësaj komune, Ramiz Merko, Genc Merko ka marrë licencën për hapjen e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore.

Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në opinion pasi bëhet fjalë për persona të përfshirë në listën e zezë amerikane, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.

Vendimi i është dhënë nga ministri i Arsimit në largim, Jeton Shaqiri, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili para se të emërohej në këtë post ka qenë profesor në Universitetin e Strugës.

Vendimin e ka nënshkruar kryeministri teknik nga BDI-ja, Talat Xhaferi ndërsa është publikuar në Gazetën Zyrtare më 15 prill të këtij viti gjatë fushatës parazgjedhore.

Në të thuhet se “ky fakultet ofron dy programe studimi: Studimet e Infermierisë së Përgjithshme dhe Studimet e Kujdesit Shëndetësor, nga cikli i parë i studimeve profesionale”.

Studimet në këtë drejtim sipas vendimit të publikuar në gazetën zyrtare, do të zhvillohen në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

Informacioni për licencën e re për hapjen e fakultetit vjen në prag të formimit të qeverisë së re, që do të përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe Lëvizja ZNAM.