Dita e dytë e edicionit të pestë të “Ditëve të Alfabetit” iu përkushtua kryekëput veprimtarisë së arkeologes së mirënjohur Edi Shukriu, prezantimin multidimensional i së cilës u bë nga studiuesit e Institutit i Prishtinës “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Departamenti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, vlerësoi kontributin e Shukriut si një veprimtare në kohëra të vështira, ndërkaq edhe drejtoresha e Institutit “Ali Hadri” Teuta Shala duke ndarë qëndrimin e njëjtë, përmendi disa nga arritjet e shumta të Shukriut në fushën e trashëgimisë kulturore, në universitet, si dhe në angazhimet e saj politike dhe shoqërore.

Kumtesat që filluan me atë udhëpërshkruese të studiuesit Arben Hajdari me temën “Prej lokalitetit arkeologjik te mësimdhënia në universitet”, kishin pika referimi nga më të ndryshmet. Emine Hajdari me studimin “Dardanët dhe Dardania në studimet akademike të Edi Shukriut” , Ilir Sulaj me temë “Reflektimi i Edi Shukriut mbi sakralitetin”, Arian Krasniqi me temën “Krijimtari dramatike e Edi Shukriut”, Gjon Berisha me “Kisha e Shën Premtes në kontekst paleokristian”.

Nder i veçantë i këtij manifestimi ishte dhe prezenca e znj. Edita Tahiri me temën “Edi Shukriu dhe shtetndërtimi”, e cila si aktiviste e shquar politike, ka pasur miqësi të ngushtë me Edi Shukriun e lidhur në rrymat aktiviste për pavarësi dhe liri.

Në ngjarje u prezantua edhe studimi i Jean-Luc Lamboley me temë “2006-2010: Lindja e bashkëpunimit të madh arkeologjik franko-kosovar”, proces në të cilin Edi Shukriu kishte një rol qendror. Nga shkenca kaluam edhe te poezia me studiuesin Arsim Canolli i cili foli mbi “Areopoetiken e Edi Shukriut”.

Ngjarja u përmbyll me fjalimin përshëndetës të Tahir Latifit, Shef i Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës me urimin që aktivitetet dedikuar kësaj figure të mos rreshtin asnjëherë.

Programi i ditës së nesërme të Ditëve të Alfabetit mban temën “Botimet shqip-maqedonisht-anglisht të ASHAM-Shkup”, ndërsa fillon në ora 10.00 në sallën U.Uilson në ITSHKSH.